Pandeli Nakoleci, 41-vjeçari i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Marjola Nakoleci, është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Përzier Penale e Trikalave në Greqi.
Vendimi është marrë unanimisht, pas përfundimit të procesit gjyqësor më 23 nëntor. Përveç dënimit me burgim të përjetshëm për vrasjen, gjykata i ka shqiptuar edhe një vit burgim për armëmbajtje dhe përdorim të paligjshëm të armës.
Gjykata e shpalli Nakolecin fajtor për vrasje me dashje, të kryer në gjendje të qetë psikike, duke mos i pranuar pretendimet e mbrojtjes se krimi ishte kryer në një gjendje të fortë emocionale. Po ashtu, u rrëzuan kërkesat për njohjen e përgjegjësisë së reduktuar psikike dhe për zbatimin e rrethanave lehtësuese.
Ngjarja e rëndë kishte ndodhur më 22 gusht 2025, në Volos të Greqisë, kur Marjola Nakoleci, 36-vjeçare dhe nënë e katër fëmijëve, u vra në hyrje të pallatit ku jetonte me familjen.
Sipas raportimeve të mediave greke, bashkëshorti e kishte sulmuar me një objekt të mprehtë, duke i shkaktuar plagë të shumta. Njëra prej goditjeve, në zonën e zemrës, rezultoi fatale.
Procesi gjyqësor u zhvillua në një atmosferë të rënduar emocionale. Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm edhe katër fëmijët e çiftit, të moshave 19, 17, 14 dhe 6 vjeç. Ata e ndoqën procesin, por nuk u morën në pyetje si dëshmitarë.
Gjatë gjykimit, mbrojtja kishte pretenduar se vrasja ishte kryer pas një konflikti të çastit dhe në gjendje të fortë emocionale. Megjithatë, sipas akuzës, këto pretendime nuk u mbështetën nga provat e shqyrtuara në gjykatë, e cila përfundimisht pranoi qëndrimin e prokurorisë.
Pas shpalljes së vendimit, avokatja e familjes së viktimës, Antonia Ballous, e cilësoi atë si drejtësi për Marjolën, fëmijët dhe familjen e saj.









