Pesë personat e arrestuar më 9 qershor në Kosovë, në kuadër të një operacioni ndërkombëtar policor, dyshohen se kanë qenë pjesë e një rrjeti që trafikonte drogë nga Amerika e Jugut dhe Lindja e Mesme, drejt Kosovës dhe vendeve të Bashkimit Evropian. Hetimet për rastin nisën nga mesazhet e dekoduara në aplikacionin Sky ECC, ndërsa Radio Evropa e Lirë ka siguruar detaje nga hetimet e Prokurorisë.
Në orët e hershme të mëngjesit të së martës, Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe autoritete policore evropiane, ka arrestuar pesë persona në një aksion të shpërndarë në pesë qytete kosovare.
Aksioni filloi në përndjekje të një grupi të dyshuar për trafikim të drogës dhe shpëlarje të parave.
I quajtur “White Star” (Ylli i bardhë), operacioni pati si provë kryesore të dhënat e siguruara nga platforma Sky ECC, komunikimet në të cilën u dekriptuan nga autoritetet evropiane në vitin 2021.
Çfarë është Sky ECC?
Sipas Europolit – agjenci e zbatimit të ligjit e Bashkimit Evropian – Sky ECC ishte një platformë e komunikimit kriminal me pagesë, e zhvilluar nga kompania kanadeze Sky Global.
Platforma ofronte fshehtësi të shkëmbimit të informacionit (mesazhe, fotografi dhe mesazhe zanore) dhe anonimitet të përdoruesve, si dhe funksione të avancuara sigurie si zbulimi i manipulimeve, fshirja në distancë dhe “butoni i panikut” për fshirjen e të dhënave.
Sky ECC u mbyll zyrtarisht në mars 2021, por qindra miliona mesazhe të enkriptuara mbeten ende të disponueshme dhe përdoren si prova në hetime ndërkombëtare.
Sipas Europolit, nga fillimi i hetimeve janë hetuar 42 persona, janë kryer 76 kontrolle dhe janë sekuestruar pasuri me vlerë rreth 80 milionë euro.
Trafik ndërkontinental droge dhe rrjet i organizuar
Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, të cilën e ka parë Radio Evropa e Lirë, të dyshuarit që nga fillimi i vitit 2019 kanë marrë pjesë në një grup të organizuar kriminal që merrej me “blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve”.
Grupi dyshohet se trafikonte kokainë nga shtetet e Amerikës së Jugut, heroinë nga Irani, Afganistani dhe Turqia, si dhe marihuanë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Spanja.
“Në Kosovë, pjesëtarët e këtij grupi kriminal e bëjnë përzierjen e narkotikut me sodë bikarbonat dhe përzierës të tjerë me qëllim të shtimit të peshës, më pas e paketojnë me makinë me presion dhe e kamuflojnë në produkte të ndryshme”, thuhet në dokumentin e Prokurorisë.
Droga më pas transportohej përmes kompanive transportuese drejt Serbisë, Bosnje e Hercegovinës, Kroacisë, Gjermanisë, Zvicrës dhe vendeve të tjera të Bashkimit Evropian.
Pastrimi i parave dhe investimet
Përveç trafikimit të narkotikëve, pesë të arrestuarit dyshohen edhe për pastrim parash.
Sipas Prokurorisë, fitimet nga aktiviteti kriminal transferoheshin në biznese të ndryshme të themeluara nga vetë të dyshuarit ose persona të afërt me ta.
Një pjesë e mjeteve konvertohej në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, përfshirë toka, shtëpi, banesa dhe vetura.
Mbështetje ndërkombëtare dhe lidhje me raste të tjera
Arrestimi i të dyshuarve u mbështet nga Europol, si dhe autoritetet e Francës, Belgjikës dhe Holandës.
Sipas Europolit, grupi kriminal operonte nga Kosova, ndërsa anëtarët e tij koordinonin trafikim ndërkombëtar droge dhe menaxhonin pastrimin e parave në disa shtete evropiane.
Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, ky rast lidhet edhe me një hetim të mëhershëm të vitit 2025, të njohur si “Qielli i Thyer”, ku 33 persona ishin vendosur në paraburgim.
Prokurori special Fatos Ajvazi ka deklaruar për Radio Evropa e Lirë se pesë të arrestuarit e 9 qershorit nuk konsiderohen udhëheqës të strukturës kriminale, por anëtarë të saj.
Ai ka theksuar se provat kryesore janë komunikimet e siguruara nga Sky ECC, të cilat janë kombinuar edhe me prova të tjera, ndërsa mesazhet janë siguruar përmes bashkëpunimit ndërkombëtar me autoritetet franceze.










