Një rast i zhdukjes së një personi është raportuar në Vushtrri, ku familja ka denoncuar largimin e një 33-vjeçari nga shtëpia dhe mungesën e çdo kontakti me të.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Armend Hajrën, për të cilin familjarët kanë raportuar se është larguar nga shtëpia në mbrëmjen e 1 qershorit, rreth orës 20:05, në rrugën “Rrahman Krasniqi” në Vushtrri.
Sipas deklarimit të babait të tij, H. H, i biri është larguar nga banesa dhe që nga ai moment nuk është kthyer më, ndërsa familja nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tij.
Sipas burimeve, pas pranimit të rastit, Policia ka marrë deklaratat e nevojshme dhe ka njoftuar Prokuroren kujdestare, e cila ka urdhëruar inicimin e rastit si “Person i zhdukur”.
Autoritetet kanë nisur procedurat për lokalizimin e tij dhe po zhvillojnë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e rastit.
Çdo person që mund të ketë informacion lidhur me vendndodhjen e Armend Hajrës ftohet të njoftojë Policinë e Kosovës.










