Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Albana Bunjaku, e cila vjen nga diaspora, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe qeverisjes së tij, duke e akuzuar për mungesë të vizionit dhe mbështetjes konkrete për diasporën shqiptare.
Sipas Bunjakut, diaspora e Kosovës nuk ka nevojë për ndihma sociale apo premtime boshe, por për politika serioze që krijojnë terren të favorshëm për investime kapitale dhe zhvillim ekonomik.
“Diaspora jonë është e suksesshme në bizneset më të mëdha në shtetet e Bashkimit Evropian. Ajo nuk kërkon lëmoshë nga shteti, por kushte për të investuar në vendlindje. Fatkeqësisht, deri më sot nuk është bërë as lëvizja më e vogël për të krijuar lehtësira dhe siguri për investitorët nga diaspora”, ka deklaruar Bunjaku.
Ajo vlerëson se qeveria ka folur shumë për diasporën, por nuk ka realizuar asnjë projekt madhor që do të tërhiqte kapitalin e mërgatës në Kosovë. Sipas saj, mungesa e investimeve të huaja dhe e fabrikave të reja është dëshmi e dështimit të politikave ekonomike gjatë gjashtë viteve të fundit.
“Premtuan se do të krijonin kushte që diaspora të kthehej dhe të investonte në Kosovë. Në vend të kësaj, vendi vazhdon të humbasë të rinjtë e tij. Qindra mijëra qytetarë kanë emigruar, ndërsa mjekë, infermierë, inxhinierë dhe punëtorë të profileve të ndryshme po largohen çdo ditë në kërkim të një jete më të mirë”, ka theksuar ajo.
Bunjaku konsideron se fenomeni i migrimit masiv është tregues i qartë i pakënaqësisë së qytetarëve me kushtet ekonomike dhe sociale në vend. Sipas saj, qeverisja aktuale jo vetëm që nuk ka arritur të sjellë kthimin e diasporës, por ka ndikuar në rritjen e mëtejshme të valës së emigrimit.
“Nëse kjo qeveri do të vazhdonte edhe për një mandat tjetër, rrezikojmë të mbetemi me një Kosovë të zbrazur nga rinia dhe profesionistët. Kur njerëzit largohen masivisht, kjo është dëshmi se shteti nuk po u ofron perspektivë. Kosova ka nevojë për zhvillim ekonomik, investime dhe vende pune, jo për propagandë politike”, ka deklaruar kandidatja e LDK-së.
Ajo ka përfunduar duke theksuar se Kosovës i duhet një qasje e re ndaj diasporës, e cila ta shohë mërgatën si partner strategjik në zhvillimin ekonomik të vendit dhe jo vetëm si burim remitancash.
“Diaspora është një nga asetet më të mëdha kombëtare. Ajo duhet të ketë derën e hapur për investime, jo pengesa burokratike. Kosova meriton më shumë zhvillim, më shumë investime dhe më shumë shpresë për qytetarët e saj”, ka përfunduar Albana Bunjaku.










