Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputet, Xhafer Tahiri, ka kritikuar vendimin e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), sipas të cilit pagesat mbi 2 mijë euro me individë nuk mund të realizohen me para të gatshme.
Përmes një reagimi publik, Tahiri ka vlerësuar se kjo masë nuk përputhet me realitetin dhe nevojat e mërgimtarëve, të cilët sipas tij vazhdojnë të japin një kontribut të jashtëzakonshëm në ekonominë e Kosovës.
“ATK paralajmëron se pagesat mbi 2,000 euro me individë nuk lejohen të kryhen me para të gatshme. Ky vendim nuk duket se merr parasysh realitetin e mërgatës sonë”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka theksuar se zbatimi i kësaj mase do t’i detyrojë mërgimtarët të kalojnë procedura shtesë bankare për të realizuar pagesat e tyre, duke shkaktuar vonesa dhe vështirësi të panevojshme.
Sipas Tahirit, për çdo pagesë mbi 2 mijë euro, qytetarët nga diaspora do të duhet fillimisht t’i deponojnë paratë në bankë dhe më pas ta kryejnë pagesën përmes sistemit bankar.
Kandidati i LDK-së ka bërë thirrje që institucionet të tregojnë më shumë kujdes ndaj diasporës dhe të marrin vendime që lehtësojnë, e jo vështirësojnë, jetën e mërgimtarëve.
“Njerëzit tanë në mërgatë meritojnë respekt dhe mbështetje për kontributin që japin çdo ditë për Kosovën, jo pengesa të reja”, ka përfunduar Tahiri në reagimin e tij.










