Bisedat “sekrete” në WhatsApp – si u përfshi Besnik Bislimi në rastin e rezervave

Ish-numri dy i Qeverisë Kurti, Besnik Bislimi del i përfshirë në rastin e Rezervave Shtetërore, tregojnë komunikimet e ish-ministres Rozeta Hajdari. Në serinë e re të bisedave në WhatsApp të zyrtarëve të Ministrisë së Tregtisë, Paparaci zbulon implikimin e ish-zëvendëskryeministrit në diskutimet për blerjen e rezervave shtetërore.

Biseda të tjera në grupin e platformës WhatsApp, ku kryhej sekreti shtetëror i Rezervave Shtetërore, implikonin emrin e ish-zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.


Edhe numri dy i Qeverisë Kurti përfshihej në proces, ndonëse nuk dihet nëse ai posedonte certifikatë sigurie për qasje në materialet e klasifikuara, tregojnë komunikimet në grupin e WhatsApp-it të Rezervave Shtetërore

Certifikatë sigurie nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) nuk posedonte asnjëri nga zyrtarët që zhvillonin procesin në WhatsApp, sipas dosjes së Prokurorisë.

Rozeta Hajdari i raportonte zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, tregojnë mesazhet në grupin e WhatsApp-it, ku ish-ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë komunikonte me vartësit e saj në ministri, u.d. sekretarin Irfan Lipovica dhe drejtorin e Departamentit të Rezervave Shtetërore, Hafiz Gara.

Në një nga komunikimet e zhvilluara më 16 mars, 2022, ish-ministrja Hajdari përcolli një shqetësim të ish-numrit dy të qeverisë për sasinë e sheqerit që planifikohej për Rezervat Shtetërore.

“E a duhet më shumë sheqer po pyet ZvKM…, a dojm me shtu rezervë sheqeri”, përcolli Hajdari sugjerimet në grup.


Zyrtari përgjegjës për rezerva, Hafiz Gara i tha se, sipas planifikimeve, nuk ishte e nevojshme rritja e sasisë së sheqerit.

“Ne e planifikuem 10 milionshin, dhe na u duk mjaftueshëm kjo sasi”, u përgjigj Gara.

Por zëvendëskryeministri Bislimi, sipas mesazheve të Hajdarit, kishte sugjeruar ndryshe.

“ZvKM thotë me 1000 ton sheqer jemi stabil”, vijoi ish-ministrja dhe pyeti: “Mos është shumë?”

Biseda, në të cilën Hajdari e përfshinte Bislimin në diskutimet për Rezervat Shtetërore, u zhvillua në një fazë kritike të procesit. Në periudhën e mesazheve, Ministria e Tregtisë kishte nisur negociatat me një biznesmen në Poloni, të cilat po i ndërmjetësonte sekseri Ridvan Muharremi.

Gara insistonte se 100 ton sheqer (1,000 ton të përmendura nga ministrja Hajdari – shifër që nuk përputhet me kontraktimin përfundimtar të 120 tonëve nga MINT, v.j) ishin të mjaftueshme.


“E kemi derën qelë te polaku! por ashtë pak si tepër”, u përgjigj Gara.

Ministria do t’u bindej urdhrave të Bislimit. Një ditë pas sugjerimeve të tij, Ministria e Tregtisë rriti sasinë e sheqerit të kontraktuar, tregon fatura e lëshuar në avans për blerjen e vajit dhe sheqerit nga kompania “Xanto” Sp Z.o.o. në Poloni.

Sasia e sheqerit të porositur u rrit në 120 ton, tregon fatura e MINT me numër 1548-02, e lëshuar më 17 mars, 2022.

Ministria e Tregtisë i pagoi në avans 276 mijë euro kompanisë Xanto Sp. Z.o.o. për 200,000 litra vaj dhe 120,000 kg sheqer. Mallrat nuk erdhën kurrë.

Xanto Sp. Z.o.o. udhëhiqej nga Tomasz Tokarski, një biznesmen polak me lidhje në Kosovë. Tokarski ishte kontaktuar nga sekseri Ridvan Muharremi pasi të dy ishin njohur në restorantin e sekserit në Prishtinë më 2021, sipas dëshmisë ortaku i Tokarskit, kosovari Nezir Idrizi, i ka dhënë Prokurorisë Speciale.

Atë vit, Tokarski kishte hapur në Kosovë një biznes në ortakëri me Idrizin dhe i duhej një lokal me qera. Me Ridvan Muharremin e kishte diskutuar mundësinë e marrjes me qera të një lokali në pronësi të tij, sipas dëshmisë së Nezir Idrizit.

“Pas bisedës që kemi pasur lidhur me mundësinë e marrjes me qira të lokalit, pas disa muajve Ridvani më ka thirr në telefon dhe më tha se, a ke ende kontakt me polakët, sepse jam i interesuar për produkte të vajit dhe sheqerit, sepse e kam një ofertë pune”, ka dëshmuar Idrizi.

Në gusht të vitit 2023, Avokatura Shtetërore paditi kompaninë Xanto Sp. Z.o.o. për shkak të mospërmbushjes së kontratës.

Komunikimet e zhvilluara më 16 mars, 2022:

Grupi në WhatsApp mes Rozeta Hajdarit, Irfan Lipovicës dhe Hafiz Garës.

Hafizi Gara: Një faturë t’përbashkët për vaj e sheqer e kemi, ngaqë OE është i njëjt. Kontratat duhen ndaras, apo jo?

Irfan Lipovica: Po nëse ju e vlerësoni që mund të jenë bashkë, nuk është e definuar apo ndaluar

Hafiz Gara: Ridi i kërkoj bashkë, qashtu po e formuloj – jam n’hall me specifikimet posht!

Rozeta Hajdari: Ridi vjen para orës 16;00, rezervoni kohën

Rozeta Hajdari: E a duhet me shumë sheqer po pyet ZvKM, a dojm me shtu rezervë sheqeri

Hafiz Gara: Ne e planifikuem 10 milionshin, dhe na u duk mjaftueshëm kjo sasi

Rozeta Hajdari: ZvKM thotë me 1000 ton sheqer jemi stabil, mos është shumë

Hafiz Gara: E kemi derën qelë te polaku! por ashtë pak si tepër!

Rozeta Hajdari: Ridvan të lutem emrin e anijes, datën dhe kohën kur niset, dhe datën dhe kohën kur vjen.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit