Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se krijimi i Xhandarmërisë është i domosdoshëm për adresimin e sfidave aktuale të sigurisë dhe për plotësimin e boshllëkut mes Policisë së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Duke folur për gjendjen e sigurisë në vend, Kurti ka thënë se ajo po ndryshon me shpejtësi dhe se rreziqet aktuale nuk janë të njëjta me ato të një dekade më parë.
“Kërcënimet me të cilat përballemi sot nuk janë ato të një dekade më parë. Sfidat kryesore përfshijnë grupe të armatosura paraushtarake dhe kapacitete superiore ndaj atyre policore, kontrabandë të vazhdueshme me armë e mallra që cenojnë sigurinë përgjatë vijës kufitare, si dhe infiltrime të grupeve të armatosura që kërcënojnë sovranitetin tonë”, u shpreh Kurti në një konferencë për shtyp.
Ai ka përmendur gjithashtu përdorimin e teknologjive moderne, përfshirë dronët, në cenimin e sigurisë, duke theksuar nevojën për mbikëqyrje të vazhdueshme të terrenit dhe infrastrukturës kritike.
Sipas tij, Policia e Kosovës po kryen punë të jashtëzakonshme, por ka mandat të kufizuar në ruajtjen e rendit publik dhe luftimin e krimit.
“Kemi pasur sulme të vazhdueshme gjatë viteve të fundit, veçanërisht në veri, ndaj institucioneve të Kosovës, Policisë, qytetarëve dhe misioneve ndërkombëtare. Kjo tregon se grupet e armatosura me organizim paraushtarak kanë rrezikuar dhe mund të rrezikojnë sovranitetin e Republikës së Kosovës”, shtoi ai.
Kurti theksoi se përballja me këto sfida kërkon krijimin e një strukture të re të specializuar.
“Me qëllim të adresimit të këtyre sfidave dhe rreziqeve, themelimi i Xhandarmërisë si strukturë e re, e specializuar, moderne dhe e disiplinuar është domosdoshmëri e kohës. Ajo do të plotësojë boshllëkun mes Policisë dhe Ushtrisë, përkatësisht FSK-së”, deklaroi Kurti.
Sipas tij, Xhandarmëria do të ketë mandat të qartë për sigurimin e vijës kufitare tokësore, ujore dhe ajrore, operacionet kundër grupeve të armatosura, luftimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.
Ai shtoi se modeli i Xhandarmërisë është praktikë e njohur evropiane, duke përmendur Francën, Italinë, Spanjën dhe Portugalinë si shembuj.









