Pas faljes së namazit të Kurban Bajramit në Prishtinë, qytetarët uruan besimtarët myslimanë për festën, duke përcjellë mesazhe paqeje, bashkimi, tolerance dhe solidariteti. Disa prej tyre shprehën edhe shqetësime për përçarjet politike e shoqërore, duke bërë thirrje për më shumë unitet mes shqiptarëve.
Qytetari Rizah Syla për Ekonomia Online tha se Kurban Bajrami është një festë e madhe dhe uroi që ajo të sjellë mirësi e begati për të gjithë.
“Edhe juve për hajër u qoftë. E me të mira inshallah e kalojmë, se kjo festë është shumë festë e madhe, festë njerëzore, me pasur rahmet e bereqet. Një urim për krejt shqiptarët. Edhe në fund të fundit, urime krejt myslimanëve anë e mbanë botës, kah janë e kah s’janë”, tha ai.
Ai pati edhe një mesazh për bashkim dhe mirëkuptim mes shqiptarëve.
“Ja kisha çuar një mesazh që me u bashku, me u bërë në një vend, se të përçarë, e të copëtuar e të kiametit kemi qenë boll. Sot kishe e kena një liri, po ndërmjet veti s’jemi duke u marrë vesh. Edhe krejt shqip po flasim, por jo. Allahu u bëftë rahmet e i udhëzoftë” shtoi ai.
Edhe Ahmet Ajeti uroi festën e Kurban Bajramit për të gjithë besimtarët myslimanë.
“Urime të gjithëve Kurban Bajrami. Allahu i pastë bërë kabull!”, tha ai.
I pyetur nëse kishte një mesazh për politikanët, ai u përgjigj shkurtimisht:
“Për politikanët, ata le të qojnë mirë, se s’kanë mirë hiç ata”, shtoi ai.









