Detaje të reja janë zbuluar lidhur me rastin e plagosjes që ndodhi në fshatin Gojbulë të Vushtrrisë, ku një grua dyshohet se u sulmua me mjet të mprehtë nga ish-bashkëshorti i saj.
Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë me dije se viktima, S. H, kishte kërkuar ndihmë mjekësore pasi kishte pësuar lëndime në krahun e majtë, të shkaktuara dyshohet me thikë.
Pas marrjes së informacionit, njësitet policore dhe hetuesit kanë dalë menjëherë në terren dhe kanë kontaktuar viktimën, e cila ka deklaruar se për sulmin dyshon në ish-bashkëshortin e saj, N. H.
Viktima fillimisht ka marrë tretman në Emergjencën e Vushtrrisë, ndërsa më pas është dërguar për trajtim edhe në QKUK.
Ndërkohë, i dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor në Vushtrri, ku është intervistuar nga hetuesit policorë.
Burimet bëjnë të ditur se arma e ftohtë që dyshohet se është përdorur në rast është sekuestruar nga Policia si provë materiale.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa i dyshuari ishte ndaluar fillimisht për 48 orë.
Pas mbajtjes së seancës gjyqësore më 26 maj 2026, Gjykata Themelore në Mitrovicë – Dega në Vushtrri i ka caktuar N. H masën e paraburgimit prej një muaji.
I njëjti është dërguar në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali.









