Zëvendësministri i Financave dhe kryetari i degës së LVV-së në Skënderaj, Hysni Mehani, ka rrëfyer në “Review” mbi sulmin fizik që pretendon se i është bërë nga Sami Lushaku.
Mehani tregon se të enjten e shkuar ishte në Skënderaj duke pirë kafe në qytet me deputeten e LVV-së, Arjeta Fejza, dhe disa aktiviste.
Sipas tij, në momentin që deputetja Fejza i ka thënë se po vjen Sami Lushaku, ai ka vendosur të mos e kthejë kokën fare për të shmangur ndonjë situatë apo provokim
“Gjeta pak kohë para angazhimeve që më presin që me kandidaten për deputete të LVV-së, Arjeta Fejzën, të dalim në Skënderaj, dhe ta pimë nga një kafe bashkë. Aty bashkë po pinim kafe, po bashkëbisedonim për projektet tona, si ta realizojmë fushatën zgjedhore. Dhe në ndërkohë që Fejza më thotë se po e sheh Sami Lushakun, unë kështu në afërsi, pa e kthyer kokën fare, them: ‘Mirë, vazhdojmë muhabetin’. Dhe nuk doja ta ktheja kokën nga Lushaku në mënyrë që ai të kalonte dhe mos të kishim ndonjë situatë, sepse edhe provokon”, tha Mehani.
Më tej, ai shpjegon se Lushaku i është afruar dhe e ka goditur me telefon duke i shkaktuar një plagë në fytyrë. Hysni Mehani shton se më pas kanë ndërhyrë edhe truprojat e Sami Lushakut duke sulmuar fizikisht.
“Jam goditur me telefon duke ma shkaktuar këtë çarjen këtu. Pastaj më ka goditur edhe me diçka tjetër, me sa kujtoj sepse nuk e di, me gjasë edhe instinkti i syve është pak më i shpejtë për tu mbrojtur. Më pas kanë filluar edhe truprojat e tij…”, thekson Mehani.
I pyetur për pretendimin e Lushakut se sulmi erdhi pas provokimit dhe nxitjes së urrejtjes përmes pseudonimit “Sami Serbia”, Mehani u përgjigj se nuk ka pasur asnjë kontakt me të.
Ai sqaron se termi “Sami Serbia” ka qenë thjesht një ironi dhe sarkazmë në një postim të mëparshëm në Facebook.
“Jo, nuk kam pasur asnjë kontakt me Sami Lushakun. Lushaku nuk vjen në kuvend komunal aty ku ne… unë jam asamblist, ai është kryetar, që të kemi komunikim institucional. Ndërkohë që komunikim tjetër me Sami Lushakun nuk mund të kem sepse ai nuk pranon nivel komunikimi.
Sa i përket asaj ‘Sami Serbia’, ka qenë ironi, sarkazmë, sepse për pesë vjet rresht këta e akuzuan kryeministrin Kurti se po i mbyll strukturat paralele në veri, po na prish me Amerikën. Ndërkohë që Sami Lushaku në fund shkoi, mbylli dy ambulanca të strukturave paralele këtu në Skënderaj dhe kjo ishte ironi, sarkazmë, sepse pas pesë viteve Sami Lushaku përfundon në qëndrimet e zotit Kurti”, ka shpjeguar Hysni Mehani.
Lidhur me lirimin e Sami Lushakut në procedurë të rregullt nga Prokuroria e Mitrovicës, Mehani pretendon se stacioni policor ishte nën presion.
Ai thotë se mbështetësit e Lushakut rrethuan stacionin e policisë me traktorë dhe barrikada.
“Nuk po e merrte stacioni policor në pyetje Sami Lushakun, por Lushaku po e merrte në pyetje stacionin policor”, përfundoi kryetari i degës së LVV-së në Skënderaj.









