Një rrëfim emocional i ndarë nga polici vushtrrias Burim Bunjaku ka prekur shumë qytetarë në rrjetet sociale, duke treguar një moment të rrallë njerëzor gjatë ushtrimit të detyrës.
Në rrëfimin e tij, ai tregon se gjatë një kontrolli rutinë kishte ndaluar një veturë që po lëvizte me shpejtësi mbi normat e lejuara. Fillimisht, gjithçka dukej si një rast i zakonshëm trafiku.
Por, sapo iu afrua dritares së veturës, ai kuptoi se situata ishte krejt tjetër.
“Duart e burrit po dridheshin në timon, ndërsa sytë i kishte të mbushur me lot. Më tha se vajza e tij ishte në spitalin e fëmijëve dhe se kimioterapia nuk kishte funksionuar. Kishin telefonuar që të nxitonte”, rrëfen polici.
Sipas tij, në ato momente nuk pa një shkelës të ligjit, por një baba që po luftonte me kohën për të arritur pranë vajzës së tij.
Polici vushtrrias vendosi ta ndihmonte menjëherë. Ai ndezi dritat rotative dhe sirenat e veturës policore, duke i hapur rrugën drejt spitalit.
“Pastrova kryqëzimet dhe ndala makinat anash. Po garonim me kohën”, shkruan ai.
Udhëtimi, që zakonisht zgjat rreth 30 minuta, u përshkua për vetëm 15 minuta.
Kur mbërritën në spital, babai doli nga vetura dhe vrapoi menjëherë brenda. Polici thotë se qëndroi në parking, duke pritur në heshtje.
Pas rreth një ore, burri u kthye me hapa të rëndë dhe me fytyrë të thyer nga dhimbja.
“Falë teje, arrita t’ia mbaj dorën deri në frymën e fundit”, citohet t’i ketë thënë ai policit.
Në fund të rrëfimit, polici thekson se ndonjëherë detyra e policit nuk është vetëm zbatimi i rregullave, por edhe të tregojë njerëzi në momentet më të vështira të jetës së qytetarëve.









