Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka bërë një thirrje publike drejtuar veteranëve dhe qytetarëve që, siç thuhet, ndjejnë respekt për luftën çlirimtare, që të nisen drejt Skenderajt dhe të mblidhen pranë stacionit të Policisë së Kosovës.
Sipas OVL-UÇK, tubimi ka për qëllim dhënien e përkrahjes për gjeneralin Sami Lushtaku, i cili pritet të intervistohet nga organet e rendit.
Në deklaratë theksohet nevoja për unitet dhe dinjitet, duke e cilësuar praninë e qytetarëve si mesazh se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe se, sipas tyre, ish-luftëtarët nuk duhet të mbeten vetëm në përballje me institucionet.
“Sot më shumë se kurrë, kërkohet unitet, dinjitet dhe përkrahje për ata që i dolën zot Atdheut në ditët më të vështira të historisë sonë,” thuhet në thirrjen e organizatës.
OVL-UÇK ka bërë thirrje që pjesëmarrja të jetë e qetë dhe dinjitoze, duke theksuar respektimin e rendit publik dhe frymën qytetare gjatë grumbullimit.
Postimi i tyre:
Thirrje publike
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së fton të gjithë veteranët dhe qytetarët që ndjejnë respekt për luftën çlirimtare, që të nisen drejt Skenderajt dhe të bashkohen pranë stacionit të Policisë, ku pritet të intervistohet gjenerali Sami Lushtaku.
Sot më shumë se kurrë, kërkohet unitet, dinjitet dhe përkrahje për ata që i dolën zot Atdheut në ditët më të vështira të historisë sonë. Prania jonë është mesazh se lufta çlirimtare e UÇK-së ishte e drejtë dhe se luftëtarët e saj nuk do të jenë kurrë vetëm.
Ftojmë të gjithë që pjesëmarrja të jetë e qetë, dinjitoze dhe në frymën e respektit qytetar, ashtu siç e meriton historia e luftës sonë çlirimtare.









