Orët e mbrëmjes në Skënderaj janë karakterizuar nga zhvillime të shumta dhe tensione të larta, pas incidentit ku Sami Lushtaku dyshohet se e ka sulmuar fizikisht Hysni Mehanin nga Lëvizja Vetëvendosje.
Disa orë pas këtij rasti, Policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion në Skënderaj me prezencë të madhe të Njësisë Speciale. Megjithatë, kjo ndërhyrje nuk është pritur mirë nga qytetarët, të cilët kanë dalë në rrugë në shenjë reagimi, ndërsa Policia ka deklaruar se bëhej fjalë për nevoja operacionale.
Sipas raportimeve të Klan Kosovës, gjatë aksionit janë ndaluar disa persona, ndër ta edhe zëdhënësi i Komunës së Skënderajt, Amir Lushtaku. Burime të mediave bëjnë të ditur se Njësia Speciale ka kryer bastisje në banesën e tij, si dhe në disa lokacione të tjera.
Deputetja Ganimete Musliu ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve në Skënderaj, duke akuzuar pushtetin për keqpërdorim të institucioneve shtetërore. Ajo i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të tërheqë forcat speciale nga qyteti.
“Përdorimi i institucioneve shtetërore dhe aparatit të pushtetit kundër një komune vetëm pse nuk mund të depërtosh politikisht përbën një abuzim serioz të pushtetit. Veprime të tilla thellojnë përçarjet, nxisin tensionet dhe kontribuojnë drejtpërdrejt në një mjedis ku dhuna normalizohet. Albin, mos nxit dhunë, tërhiqi forcat speciale nga Skënderaj”, ka deklaruar Musliu.
Për situatën ka reaguar edhe nënkryetari i Komunës së Skënderajt, Fadil Nura. Në një postim në Facebook, ai ka thënë se çdo atmosferë tensioni apo shtetrrethimi në këtë qytet zgjon kujtime të rënda për qytetarët.
“Sonte, në mesnatë, në Sheshin e Lirisë ‘Adem Jashari’ në Skënderaj, shumëkush mund të ndiejë peshën e një simbolike të rëndë. Jo sepse historia po përsëritet, e as sepse kohët janë të njëjta, por sepse çdo atmosferë tensioni e shtetrrethimi në këtë qytet zgjon kujtime që ky vend i ka paguar shtrenjtë.
Kur qytetarët fillojnë të ndiejnë presion aty ku duhet të ndiejnë liri, atëherë çdo pushtet duhet të reflektojë”, ka shkruar ai.
Në disa pamje të publikuara, Ganimete Musliu shihet duke biseduar me një zyrtare policore, ku sipas saj po zhvilloheshin kontrolle rutinore. Ajo ka ngritur dyshime edhe për faktin se të gjitha veturat e policisë kishin targa 01 dhe jo 02, rajonit të cilit i përket Skënderaj.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur se Sami Lushtaku nuk i është përgjigjur ftesës për intervistim lidhur me rastin.
“Janë intervistuar në cilësinë e viktimave H.M. dhe B.Z., pesë dëshmitarë si dhe dy të dyshuar me iniciale E.L. dhe B.N., të cilët me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale ‘Lëndimi i lehtë trupor’. Ndërkaq, dy të dyshuar të tjerë me iniciale S.L. dhe K.H., deri në këto momente nuk i janë përgjigjur ftesës për intervistim”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.









