Autoritetet e rreme publike të gjeneruara me AI si formë e re e çrregullimit informative

Derisa ka pasë një autor, që ka shkruar përmbajtjen, sado jo korrekte e e papërshtatshme, ligjërimi ka pasur referencë reale individin, i cili përmes shkrimit të postimit, ka prezantuar dije dhe rrjedhimisht me ligjërimin e tij ka prodhuar pushtet. Sot, mediat sociale janë të mbushura me publikime, që në fakt nuk janë shkruar nga individi, por prodhojnë ligjërim, rrjedhimisht edhe pushtet. Pra, prodhimi i dijes e i pushtetit është real, por autori i rremë. Meqë autori nuk është më individi, por makineria përbënë një formë të rreme të komunikimit, pra një formë të re të çrregullimit informativ.

Shkruan: Alban ZENELI

Evidencat e përdorimit të të ashtuquajtures Inteligjence Artificiale në shkrimet publike po shtohen përditë. Parti politike, politikanë, analistë, asamblistë, kandidatë e edhe media, po përdorin të ashtuquajturën IA për të gjeneruar përmbajtje kryesisht me tekst, kryesisht për media sociale.

‘Më tregoni nëse dëshironi që ta riformuloj, apo rifrazoj këtë tekst, për ta përshtatë për…..’, ‘chatGPT says:’, etj., janë copat e fjalive që shpesh i ‘tradhëtojnë’ përdoruesit e chatboxeve, derisa kopjojnë përmbajtjen e gjeneruar për ta posutar. Nese i lexon postimet duken korrekte, politikisht, gjuhësisht, deri diku edhe në përmbajtje.

Por çfarë mungon aty që i bënë të pavërteta, të pasinqerta dhe jomorale këto përmbajtje?

Autori, nuk duket askund. Pra ka një njeri që është pajtuar me përmbajtjen, por nuk e ka shkruar. Mishell Fuko te Pushteti dhe dija dikur spjegonte që është absurd të mohohet ekzistenca e individit shkrues, por, ja që jemi në një epokë ku në fakt makinat shkruajnë e njeëzit pajtohen me atë çfarë shkruan ajo. Pa dyshim se kjo paraqet një ndryshim të qartë të epokave sepse siç shpjegon Fuko, që në fakt roli i autorit ka qenë edhe më herët në trnasformime por padyshim jo kaq të thellla sa të mungoi krejtësisht.

“Por mendoj se – së paku që prej një epoke – individi që vihet të shkruajë një tekst në horizontin e të cilit vjen rrotull një vepër e mundshme, rimerr për llogari të vet funksionin e autorit….”

Përtej përcaktimit se çfarë është autori, roli i tij i dikurshëm dhe ndryshimni që ka pësuar ai deri në zhdukjen e tij, ai, pra autori, paraqet edhe autoritet publik, dije, e rrjedhimisht edhe pushtet. Në fakt, jo autori si person, por ligjërimi i tij, sipas Fukosë paraqet një pushtet përmes “ligjërimeve të të vërtetave”. Ai shprehet qartë që asnjë pushtet nuk mund të ushtrohet ndryshe përveç prodhimit të vërtetësisë.

“Pushteti na detyron të prodhojmë vërtetësi dhe vetë pushteti nuk mund të ushtrohet veçse duke prodhuar vërtetësi. Kjo gjë është tipar i çdo shoqërie, por, kam përshtypjen se në shoqërinë tonë, marrëdhënia mes pushtetit, së drejtës dhe së vërtetës organizohet në një mënyrë tepër të veçantë”.

Derisa ka pasë një autor, që ka shkruar përmbajtjen, sado jo korrekte e të papërshtatshme, ligjërimi ka pasur referencë reale individin, i cili përmes shkrimit të postimit, ka prezentuar dije dhe rrjedhimisht me ligjërimin e tij ka prodhur pushtet. Sot, mediat sociale janë të mbushura me publikime, që në fakt nuk janë shkruar nga individi, por prodhohojnë ligjërim, rrjedhimisht edhe pushtet. Pra, prodhimi i dijes e i pushtetit është real, por autori i rremë. Meqë autori nuk është më individi, por makineria përbënë një formë të rreme të komunikimit, pra një formë të re të çrregullimit informativ. Kjo formë e re nuk mund të kategorizohet në mënyrë tipike si dezinforim, çinformim apo keqinformim, meqë së pari publikohet në media sociale dhe nuk paraqet produkt real të mediave që kanë një proces redaktimi para botimit.

Në anën tjetër, Marshall McLuhan, derisa flet për kuptimin e mesazhit publik, përmes mediave, e bënë të qartë që në fakt vet medium është mesazhi, pra personi/profile/media që po e publikon një përmbatje është mesazhi. Në formulën e tij, kur personi apo profili publik i një politikani a ftyre publike është vet mesazhi, në tekstet e gjeneruara me IA ai mungon krejtësisht, meqë më as mesazhi nuk shkruhet nga individi, mungon edhe mediumi. Nga ajo cfarë kemi parë deri më tani, përmbajtje të gjeneraura me këtë teknologji, kanë publikuar politikanë, media, analistë, “statusgji”, opinoninst, influencer e zyrtarë të PR-it. Prandaj, në këtë rast, flasim për një ushtrim të pushtetit të dijes përmes ligjërimit, në dukje korrekt, por në esencë i rremë meqë autori mungon.

Etika në përdorimin e AI-së

Edhe pse po bëhen vite që kjo çështje është rregulluar në kuptim ligjor, por edhe etik në vendet e zhvilluara në Kosovë, deri tani në fakt ka vetëm dy institucione që dihet që publikisht kanë prodhuar kod etik të veçantë ose kanë përditësuar kodet aktuale duke përfshirë problemet me përmbajtjet e gjeneruara me AI. Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, në kodin e vet etik ka shtuar një nen që përcakton që përmbajtjet që gjenerohen me IA nga gazetarët dhe mediat duhet të etiketohen si të tilla, pra t’i tregohet publikut cila pjesë dhe me çfarë mjeti të IA-së është gjeneruar. Po ashtu, përkundër që pjesë të caktuara mund të gjenerohen me këtë teknologji, përgjegjësisa për saktësinë dhe elementet tjera bie mbi gazetarinë dhe redaksinë. Këto praktika janë tipike edhe për organizata ndërkombëtare të gazetarëve e redaksi me renome. Megjithatë, praktikat dhe udhëzuesit e bëjnë të qartë që asnjë përmbajtje e gjeneruar me IA nuk mund të prezantohet në publik si diçka e shkruar nga një njeri. Në këtë sens, pasojat e përdorimit të kësaj teknologjie duke mos i zbatuar udhëzimet etike e përjetoi në lëkuërn e tij gazetari Alex Preston, të cilit ia ndërpreu bashkëpunimin gazeta New York Times, pasiqë ai përdori AI për të shkruar recension libri.

Ndërsa në Kosovë edhe Universiteti i Prishtinës ka miratuar një udhëzues për Inteligjencën Artificiale Gjenerative, i cili përdorë “modelin e semaforit” për të sqaruar se çfarë është e ndaluar, për çfarë mund të ndihmojë kjo teknologji dhe çfarë është e lejuar të përdoret. Synimi i këtij udhëzuesi është rregullimi i përdorimit të kësaj teknologjie për stafin dhe studentët, pra shihet si mjet ndihmës, por jo si zëvendësues i autorit të përmbajtjes. Megjithatë, në Kosovë ende nuk ka ndonjë institucion tjetër publik që ka marrë ndonjë vendim se si duhet të trajtohet përmbajtja e gjeneruar me IA. Normalisht që rregullimi nga institucionet publike, duhet të bëhet përmes qasjes sektoriale e jo të centralizuar, duke pasur parasysh që kjo teknologji gjenë zbatim në shumë sektorë. Në këtë drejtim, Bashkimi Evorpain përbënë një model të mirë, që ka krijuar një akt bazë përmes të cilit pastaj rregullon sektorët e ndryshëm, që së fundi ka ndaluar plotësisht përdorimin e kësaj teknologjie në komunikime zyrtare.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit