Manuel Neuer vazhdon ta rishkruajë historinë. Në natën e Santiago Bernabéut, portieri i Bayern Munichut ishte protagonisti i vërtetë i fitores ndaj Real Madridit, duke u shpallur “Lojtari i Ndeshjes” nga UEFA.
Një paraqitje që shkon përtej numrave, por që pikërisht te numrat e gjen madhështinë e saj: 9 pritje në total, prej të cilave 5 ndaj goditjeve nga brenda zonës, dhe një statistikë mbresëlënëse prej 1.05 goli të shmangur.
Ndërhyrje vendimtare, shpesh instinktive, që i frustruan tej mase Kylian Mbappén dhe sulmin madrilen në momentet kyçe të ndeshjes.
Ishte një paraqitje e kohërave të tjera, pothuajse “legjendare”, sikur koha të mos kishte asnjë efekt mbi një nga portierët më dominues të epokës moderne.
Neuer nuk u kufizua vetëm te pritjet: ai e udhëhoqi mbrojtjen, i lexoi situatat paraprakisht dhe transmetoi siguri totale te e gjithë skuadra.
Por kjo mbrëmje kishte edhe peshë historike.
Me këtë paraqitje, Neuer arriti në kuotën 167 ndeshje në kompeticionet evropiane për klube, duke barazuar emra ikonikë si Gianluigi Buffon, Lionel Messi dhe Thomas Müller në renditjen e të gjitha kohërave.
Në shënjestër është tani Robert Lewandowski, i cili ndodhet vetëm dy paraqitje larg, ndërsa në krye mbetet Cristiano Ronaldo.









