Shumë çifte arrijnë ta ruajnë afërsinë dhe pasionin edhe pas viteve të gjata. Nuk është rastësi, por mënyra si i qasen njëri-tjetrit dhe intimitetit
Çiftet që janë të kënaqura seksualisht edhe pasi zbehet ajo shkëndija fillestare zakonisht e kuptojnë se bëhet fjalë për shumë më tepër sesa vetëm për seksin. Studimet tregojnë se zakonisht kanë marrëdhënie intime të paktën një herë në javë. Edhe pse një ritëm i rregullt nuk është formulë për lumturi të menjëhershme, afrimi fizik i shpeshtë me partnerin mund të jetë shenjë se lidhja është në një gjendje të mirë.
Kontakti fizik është një mjet i fuqishëm që ndërton afërsi dhe besim. Terapistët seksualë përdorin një teknikë të quajtur fokus i ndjesive. Kjo është një ushtrim që eksploron mënyrën se si ndiheni gjatë llojeve të ndryshme të prekjes. Gjithashtu ul presionin për arritjen e një “qëllimi” si orgazma apo penetrimi. Ushtrimi i prekjes sensuale mund t’i ndihmojë partnerët të afrohen më shumë dhe ta bëjnë intimitetin më të këndshëm.
Informohuni dhe komunikoni hapur
Të mësuarit për zonat erogjene të njëri-tjetrit, sa stimulim ju nevojitet dhe çfarë ju zgjon interesin, mund ta çojë jetën tuaj intime në një nivel tjetër. Studimet tregojnë gjithashtu se çiftet që nuk janë të sinqerta për atë që bëjnë dhe për atë që u pëlqen apo nuk u pëlqen në dhomën e gjumit kanë më shumë gjasa të jenë të pakënaqura. Prandaj, tregojini njëri-tjetrit nëse libidoja juaj është ulur ose nëse keni vështirësi në arritjen e orgazmës. Njoftoni partnerin edhe nëse ndiheni të pasigurt me trupin tuaj ose nëse diçka ju shkakton parehati.
Nuk duhet të hezitoni të kërkoni ndihmë profesionale nëse nuk mund ta zgjidhni vetë problemin. Seancat me një terapist seksual të certifikuar mund të përmirësojnë problemet e intimitetit duke ndihmuar në komunikim më të mirë, duke ju udhëhequr në ushtrime të prekjes dhe duke ju edukuar për dëshirën dhe eksitimin. Nëse problemet burojnë nga çështje të tjera, terapia mund të ndihmojë edhe të gjithë lidhjen.
Jini fleksibilë
Seksi nuk ka një standard të vetëm. Ajo që ju pëlqen, sa shpesh e dëshironi dhe sa e rëndësishme është për ju, ndryshon nga personi në person. Libidoja dhe prioritetet mund të ndryshojnë me moshën, shëndetin fizik dhe presionet e jetës së përditshme. Çiftet që mbeten kureshtare dhe fleksibile ndaj nevojave të tyre intime zakonisht ndihen më mirë me veten, gjë që çon në një jetë intime më të përmbushur.
Me kalimin e viteve, trupit i duhet më shumë kohë për t’iu përgjigjur stimulimit seksual. Nivelet më të ulëta të testosteronit mund ta vështirësojnë arritjen dhe mbajtjen e ereksionit, ndërsa rënia e estrogjenit gjatë menopauzës mund të shkaktojë tharje vagjinale dhe ngacmim më të ngadaltë te gratë. Prandaj, është e rëndësishme të merrni kohën e nevojshme për të shijuar intimitetin.

Rutina është armiku i kënaqësisë
Nëse mendoni se jeta juaj intime ka rënë në monotoni, provoni pozicione, lëvizje, prekje dhe stimulime të ndryshme për të rikthyer emocionin. Teknikat e reja mund të rrisin ndjesitë dhe të ndihmojnë që kënaqësia të arrihet më shpesh. Hulumtimet tregojnë se çiftet që kujdesen për kënaqësinë e partnerit dhe që gëzohen nga kënaqësia e tjetrit janë më të lumtura në jetën intime. Kjo mund të nënkuptojë marrëdhënie më të shpeshta, në kohë të pazakonta ose realizimin e fantazive të partnerit.
Marrëdhënia mund të pasurohet edhe me përdorimin e lodrave intime ose lubrifikantëve. E sigurt është se kënaqësia kërkon përpjekje. Edhe pse mund të duket si diçka që prish spontanitetin, studiuesit nga Universiteti i Torontos kanë zbuluar se çiftet që besojnë se një jetë intime e mirë kërkon përkushtim dhe jo vetëm “gjetjen e shpirtit binjak” janë më të kënaqura në lidhje.
Kufizoni pornografinë
Edhe pse për disa çifte mund të shtojë ngacmimin, përdorimi i tepruar i pornografisë mund të ndikojë negativisht te disa burra, duke vështirësuar arritjen e ereksionit ose orgazmës me partneren. Gjithashtu krijon pritshmëri joreale për seksin në jetën reale, gjë që mund të dëmtojë vetëvlerësimin dhe lidhjen.
Orgazma nuk është qëllimi i vetëm i çdo marrëdhënieje intime. Për disa partnerë, pritshmëritë e larta mund të krijojnë presion. Prekja në mënyrë sensuale ose çdo formë lidhjeje që ju përshtatet juve dhe partnerit është e mjaftueshme për të ndërtuar afërsi.









