Një deklaratë e fortë nga ish-kampioni i botës me Italinë në vitin 1982, Klaudio Xhentile, ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin sportiv italian. Në një intervistë për “La Repubblica”, ai ka komentuar krizën e fundit të përfaqësueses italiane dhe eliminimin e “axurrëve” nga rrugëtimi drejt Botërorit, duke e cilësuar situatën si një “njollë” për futbollin italian.
“Më dhemb. Është sikur humbjet e vazhdueshme të ekipit kombëtar të kenë fshirë pak nga ajo që të gjithë arritëm. Një njollë mbi të gjithë,” u shpreh Xhentile.
Ish-mbrojtësi theksoi se problemet nuk lidhen vetëm me individë të caktuar, por me vetë strukturën e futbollit italian, duke kërkuar ndryshime rrënjësore.
“Si të dalim nga kjo? Duke ndryshuar sistemin nga A në Zh, jo vetëm disa emra. Federata e Futbollit duhet të rindërtohet plotësisht, duhet t’u japim trajnerëve lirinë e tyre përsëri. Ekipet bëhen nga agjentët, madje edhe ekipi kombëtar, veçanërisht ekipi kombëtar,” deklaroi ai.
Pjesa më e fortë e intervistës lidhet me një episod që Xhentile pretendon se ka ndodhur gjatë kohës kur drejtonte ekipin U-21 të Italisë.
“Kur po drejtoja ekipin U-21, ata erdhën tek unë me një çantë plot me para. Më thanë: ‘janë të tuat nëse grumbullon ata që themi ne’. U thashë të largoheshin menjëherë, përndryshe do të telefonoja policinë,” rrëfeu ai.
Sipas tij, refuzimi i kësaj oferte pati pasoja direkte në karrierën e tij.
“Si përfundoi? Më hoqën qafe. Nëse nuk je ‘kukull’, nuk je pjesë e lojës,” shtoi Xhentile.
Klaudio Xhentile u shkarkua nga posti i trajnerit të Italisë U-21 në vitin 2006, në një periudhë kur Federata drejtohej nga Guido Rosi dhe Demetrio Albertini. Largimi i tij ndodhi pavarësisht rezultateve pozitive, përfshirë titullin kampion Europe me U-21 dhe medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike.









