Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka reaguar lidhur me ekspozitën e vendosur në sheshin e Prishtinës, e cila ishte financuar edhe nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Haxhiu ka thënë se ky vendim është marrë në Kryesinë e Kuvendit dhe, përveç Listës Serbe, të gjithë anëtarët e tjerë kanë votuar pro.
Po ashtu, Haxhiu është munduar ta largojë përgjegjësinë e saj lidhur me përmbajtjen e pavërtetë të një pjese të ekspozitës, duke thënë se “Kryesia ka vepruar mbi bazën e informacionit të paraqitur në atë kohë dhe nuk ka pasur indikacione për pasaktësi. Njëkohësisht, duhet theksuar se verifikimi i të dhënave nuk bie në kompetencat e drejtpërdrejta të Kryesisë”.
Ky është postimi i saj i plotë:
Vendimi për mbështetjen financiare të ekspozitës është marrë në Kryesinë e Kuvendit, në përputhje të plotë me Rregulloren për subvencionim.
Përveç përfaqësuesve të Listës Serbe, të gjithë anëtarët e tjerë kanë votuar në favor të këtij vendimi.
Si Kryetare e Kuvendit, ndjej obligim institucional dhe moral të shpreh keqardhjen time për situatën e krijuar.
Kryesia ka vepruar mbi bazën e informacionit të paraqitur në atë kohë dhe nuk ka pasur indikacione për pasaktësi. Njëkohësisht, duhet theksuar se verifikimi i të dhënave nuk bie në kompetencat e drejtpërdrejta të Kryesisë.
Mbështetja për këtë ekspozitë është dhënë me qëllim të mirë. Megjithatë, ky rast përbën një moment të rëndësishëm reflektimi institucional.
Në këtë drejtim, do të ndërmarrim hapa konkretë për të forcuar mekanizmat e vlerësimit, përmes themelimit të komisioneve të posaçme profesionale dhe ndryshimit të Rregullores ekzistuese, me qëllim fuqizimin e kritereve dhe rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në vendimmarrje.









