Kosova do të luajë sot një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e saj, duke qenë se do të përballet me Sllovakinë në kuadër të gjysmëfinales së “Play Off”-it për Botërorin.
Dardanët kanë arritur në këtë fazë të Botërorit për herë të parë në histori dhe do të tentojnë që historinë ta shkruajnë edhe më tej.
Sllovakia do të ketë avantazhin e fushës, megjithatë Kosova ka treguar gjatë fushatës së fundit eliminatore se është e aftë të fitojë edhe në udhëtim, edhe atëherë kur nuk është favorite.
Diçka të tillë e kemi bërë edhe kundër Suedisë, që historikisht është një kombëtare më e fortë sesa Sllovakia, apo edhe kundër një skuadre në moment të mirë si Sllovenia ku pavarësisht presionit të sfidës arritëm një fitore të pastër në Lublanë (0-2).
Për shkak të lëndimeve, Franco Foda nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e dy futbollistëve kyç: kapitenit Amir Rrahmani në mbrojtje dhe mesfushorit qendror Leon Avdullahu. Megjithatë, selektori i kombëtares është shprehur me tone optimiste para ndeshjes, pavarësisht mungesave.
Ndoshta për shkak se edhe te Sllovakia ka pothuajse një emergjencë në lëndime. Shumë më tepër se te Kosova.
Tekniku italian i sllovakëve, Francesco Calzona, e quajti “humbje të madhe” lëndimin që pësoi në stërvitjen e së mërkurës sulmuesi anësor David Duris, i cili luan me Rosenborgun në Norvegji. Mungojnë edhe dy sulmuesit e tjerë Bobçek dhe Bozhenik, ndërsa në dyshim është futbollisti më i rëndësishëm, qendër-mbrojtësi dhe lideri i skuadrës, Millan Skriniar.
Për Skriniarin, stafi teknik i sllovakëve është thënë se do të vendosë sot nëse do të jetë në gjendje të zbresë në fushë.
Në dyshim është edhe sulmuesi i krahut i Feyenoordit, Leo Sauer.
Sfida historike për plasim në finalen e pllej-ofit të Kupës së Botës luhet sot me fillim nga ora 20:45 në Bratisllavë.









