Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar këtë të diel, më 22 mars 2026, në aksin Vlorë–Kotë, në zonën e fshatit Drashovicë, përgjatë rrugës së lumit të Vlorës.
Sipas të dhënave paraprake, në ngjarje janë përfshirë dy automjete, një mjet tip “Benz” dhe një mjet tip “Ford”. Si pasojë e përplasjes së fortë, dyshohet se drejtuesit e të dy mjeteve kanë humbur jetën në vendngjarje.
Ndërkohë, një person i tretë ka mbetur i plagosur rëndë dhe është transportuar me urgjencë drejt spitalit, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Në vendin e aksidentit kanë mbërritur menjëherë shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të ngjarjes.








