Avokati Ardian Bajraktari ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të fundit të Prokurorisë në procesin gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë, duke i cilësuar ato si të papranueshme dhe goditje ndaj drejtësisë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Bajraktari bëri të ditur se anipse Trupi Gjykues e kishte mbyllur fazën e provave më 18 shkurt 2026, Prokuroria ka dorëzuar prova të reja gjatë muajit mars, veprim ky që sipas tij shkel parimet bazë të procesit penal.
“Ky veprim nuk është thjesht procedural, por është shkelje e qartë dhe e papranueshme e sigurisë juridike dhe e parimit të barazisë së armëve në procedurë. Dështimi i Prokurorisë për të provuar akuzat e saj nuk mund të shërbejë kurrsesi si justifikim për shkeljen flagrante të rregullave”, ka shkruar Bajraktari.
Sipas avokatit, pranimi i këtyre provave jashtë afateve ligjore minon rëndë integritetin e gjykimit dhe besimin e publikut në këtë Gjykatë.
“Çdo tolerim i një qasjeje të tillë do të dëmtonte rëndë integritetin e gjykimit dhe do të minonte edhe atë pak besim që ka publiku në këtë Gjykatë dhe në këtë proces gjyqësor”, tha ai.









