Ka përfunduar aksioni i Prokurorisë Themelore në Prishtinë në ARBK, i cili u zhvillua në orët e hershme të mëngjesit të sotëm.
Aksioni u krye në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe njësitet përkatëse, në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), institucion që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Sipas njoftimit të Sistemit Prokurorial, ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurat me inicialet I.R.J., F.L. dhe A.I.K., në cilësinë e personave zyrtarë në ARBK, dyshohen për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 par.2 lidhur me par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
“Të njëjtat, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin, me dashje dhe me qëllim kanë ndërmarrë veprime të kundërligjshme në mënyrë që personi me inicialet I.B. të përfitonte dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme. Sipas dyshimeve, ato kanë bërë ndryshimin e pronësisë së aksioneve të kompanisë ‘N.K.W.P Sh.P.K’ në vlerë mbi 50.000 euro”, thuhet në njoftim.
Me vendim të prokurorit të shtetit, të dyshuarat janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti po vazhdon të hetohet.
Pak më parë, për këtë aksion kishte reaguar edhe Ministria e Industrisë, Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit (MINTI), duke theksuar se kishte ndodhur një keqinterpretim i një aktgjykimi gjyqësor, i cili më pas ishte korrigjuar përmes procedurave ligjore.









