Ndërsa Serbia shkon drejt zgjedhjeve lokale më vonë këtë muaj, presidenti Aleksandar Vuçiç ka përshkallëzuar retorikën e tij gjatë fushatës zgjedhore, duke nxitur përplasje në rajon.
Ai ka akuzuar udhëheqjen dhe shërbimet e inteligjencës së Kroacisë për mbështetjen e protestave antiqeveritare të udhëhequra nga studentët në Serbi.
Duke folur në një tubim në Serbinë qendrore të shtunën, Vuçiç iu referua gjithashtu raketave supersonike të lundrimit të prodhuara në Kinë, të shtuara së fundmi në arsenalin e Serbisë. Ai po i përgjigjej njoftimit të kryeministrit kroat Andrej Plenković, i cili tha se do ta informonte NATO-n për këtë zhvillim.
“Plenković tha dje se do të ankohet në NATO për këtë. Nuk munda të fle gjithë natën”, tha Vuçiç me sarkazëm. “Ndoshta duhet t’i them: nuk ke pse t’i informosh. Nuk më vjen turp për atë që kanë arritur duart serbe”, shtoi ai.
Plenković hodhi poshtë pretendimet e Vuçiçit se Kroacia është e përfshirë në protestat antiqeveritare në Serbi.
“Ne nuk kemi asnjë interes në punët e brendshme të Serbisë dhe aq më pak të luajmë rolin e kukullave, duke tërhequr fijet dhe duke organizuar protesta. Këto pretendime janë tërësisht të sajuara”, tha ai.
Kryeministri kroat vuri gjithashtu në pikëpyetje logjikën e këtyre akuzave, duke theksuar rolin e Kroacisë në furnizimin me energji të Serbisë.
“Nëse Kroacia do të kishte ndonjë motiv të fshehtë kundër Serbisë – dhe po i flas popullit serb tani – pse do të transportonim burimin e tyre më të rëndësishëm të energjisë? Çfarë lloj politike ndaj një fqinji do të ishte kjo: duke i dërguar naftë Serbisë përmes tubacionit të vetëm në dispozicion, ndërkohë që mbështesnim njëkohësisht protestat antiqeveritare?”, tha Plenković.
Ai shtoi se informimi i NATO-s për raketat ishte pjesë e komunikimit rutinë me aleatët.
“Kur një vend fqinj jo-aleat pajis avionët e tij luftarakë rusë me raketa kineze, ky është një zhvillim i ri. Këto nuk janë raketa kundërajrore, ato janë raketa sulmuese”, tha ai.
Pas tij reagoi edhe presidenti kroat Zoran Milanoviç. Duke komentuar deklaratat e Vuçiçit se “Kroacia, Shqipëria dhe Kosova” duan të sulmojnë Serbinë, ai tha: “E kam paralajmëruar dikur se memorandumi i Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës për bashkëpunim në fushën e ushtrisë, i cili u nënshkrua nga ministri, nuk është asnjë lloj aleance ushtarake. Dhe tani, dy ditë më parë, ai flet për një plan nga Kroacia, Kosova dhe Shqipëria për të sulmuar Serbinë. Ky është një njeri mjaft interesant. Si duhet të sulmojmë? Me çfarë? Ne nuk kemi ushtri për këtë. Atëherë mund të më besoni kur e them – në fund të fundit unë vendos për këtë. Nuk është mirë ta dëgjosh, përveçse është budallallëk”.
Duke folur për armët e fundit që ka blerë Serbia, presidenti kroat i dërgoi edhe një mesazh Vuçiçit: “Çfarë do të bëjnë me to? Të sulmojnë Kroacinë? Kjo do të ishte e tmerrshme për ne, por edhe më keq për ta. Me këtë i bëj thirrje gjithashtu Vuçiçit, nëse është e mundur, të ketë kujdes se çfarë thotë”.
Lidhur me këtë deklaratë reagoi sërish presidenti serb Vuçiç. Ai deklaroi se ka zgjedhur rrugën e paqes dhe stabilitetit për Serbinë dhe se populli do të vendosë se kush do ta udhëheqë vendin.
“Emri im është Aleksandar Vuçiç dhe jam presidenti krenar i Serbisë. As presidenti kroat dhe as kushdo tjetër nuk do të më diktojnë se çfarë do të them. Ne duam dhe do të kemi paqe dhe marrëdhënie shumë më të mira me ta, megjithëse nuk ka gjëra të këqija që ata nuk ma kanë thënë”, tha ai.
Këto deklarata të ndërsjella kanë rritur tonet mes Beogradit dhe Zagrebit, duke reflektuar një klimë gjithnjë e më të tensionuar në rajon. Në një moment kur Ballkani përballet me sfida të shumta politike dhe të sigurisë, retorika e ashpër mes liderëve rrezikon të thellojë më tej përplasjet diplomatike dhe të shtojë pasigurinë në rajon.









