Minutat e fundit të ndeshjes së Serisë A mes Napolit dhe Leçes u shoqëruan me momente tensioni dhe shqetësimi në fushë, pas një episodi që përfshiu sulmuesin e skuadrës mike, Lamek Banda.
Futbollisti ra papritur në tokë pa ndjenja, duke shkaktuar panik të menjëhershëm mes lojtarëve dhe stafit teknik. Mes të parëve që vrapoi për t’i ardhur në ndihmë ishte mesfushori Ylber Ramadani, ndërsa trajneri i Napolit, Antonio Konte, u largua nga pankina dhe hyri në fushë për të parë nga afër situatën.
Menjëherë ndërhynë ekipet mjekësore të të dyja skuadrave, të cilat i dhanë ndihmën e parë futbollistit. Më pas, Banda u transportua me ambulancë drejt spitalit për kontrolle të mëtejshme mjekësore.
Sipas raportimeve të para, gjendja e tij nuk paraqet rrezik serioz. Lojtari kishte marrë një goditje në pjesën e majtë të ijes vetëm pak sekonda para episodit, ndërsa situata është ndikuar edhe nga një gjendje emocionale.
Klubi i Leçes bëri të ditur se futbollisti pritet të bëhet baba në ditët në vijim dhe se dhimbjen e ndjerë e kishte keqinterpretuar, çka dyshohet se ka çuar në humbjen e përkohshme të ndjenjave.









