Shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, ka reaguar pas pajtimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të bërë një kompromis me Bashkimin Evropian në mënyrë që të lehtësohet zbatimi i Ligjit për të Huajt për komunitetin serb në Kosovë.
Kallas e ka përshkruar këtë marrëveshje si një hap të rëndësishëm përpara, duke theksuar rëndësinë e vazhdimësisë së shërbimeve publike dhe zbatimin e marrëveshjeve të kaluara, transmeton lajmi.net.
Ajo gjithashtu shprehu gatishmërinë për të organizuar një takim të nivelit të lartë së shpejti për të avancuar dialogun Beograd–Prishtinë.
“Marrëveshja e sotme për regjistrimin civil dhe Ligjin për të Huajt shënon një hap të rëndësishëm përpara për të mirën e të gjithë njerëzve në Kosovë. Është thelbësore të sigurohet vazhdimësia në ofrimin e shërbimeve publike. Faleminderit të gjithëve që u angazhuan në mënyrë konstruktive për ta bërë këtë të mundur. Duke ecur përpara, zbatimi i marrëveshjeve të kaluara mbetet jetik. Ky progres krijon një moment të ri për Dialogun Beograd-Prishtinë, dhe unë jam gati të organizoj një takim të nivelit të lartë së shpejti”, ka shkruar Kallas.









