Kombëtarja e Sllovakisë duhet të ketë kujdes nga tifozët e Kosovës, shkruan media e njohur sllovake “sportovy.cas”.
Mediumi thekson se të gjitha biletat për sektorin mysafir u shitën shpejt nga tifozët kosovarë, duke krijuar pritshmëri për mbështetje të madhe gjatë ndeshjes.
“Sipas sistemit të biletave, pjesa e mysafirëve u mbush menjëherë dhe pritet që tifozët e Kosovës të vijnë me mbështetje të madhe. Tifozët e Kosovës janë ndër më të pasionuarit në Evropë dhe mund të krijojnë zhurmë edhe në stadiumet kundërshtare”, thuhet në raport.
Federata Sllovake ka frikë se Kosova mund ta “pushtojë” stadiumin, siç kishte bërë Bosnja Hercegovina në vitin 2013. Juraj Curny, pjesëtar i Federatës Sllovake, thotë se po merren masa për ta parandaluar një situatë të tillë.
“Duke qenë se ndeshja është e shitur plotësisht, nuk presim që tifozët mysafirë të kenë epërsi në numër në tribunë. Ne kemi identifikuar në sektorë të ndryshëm disa qindra mbajtës biletash me emra ballkanikë, të cilët megjithatë posedojnë pasaporta të vendeve të BE-së, përfshirë edhe Sllovakinë”, ka shtuar Curny.
Ndeshja mes Sllovakisë dhe Kosovës zhvillohet më 26 mars.









