Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, tha se armët e reja të ushtrisë së Serbisë “nuk janë parë ende në territorin evropian”, gjatë një vizite në Zagreb të premten.
Plenkoviq shtoi se i ka shkruar sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, por refuzoi të jepte detaje të mëtejshme.
Për armët e reja të ushtrisë serbe ka folur edhe ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci. Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, Maqedonci tha se blerja e armëve kineze tregon tendenca hegjemoniste të Serbisë ndaj vendeve fqinje.
Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 12 mars deklaroi se Serbia ka blerë raketa balistike supersonike CM-400 nga Kina. Ai theksoi se raketat janë tashmë të integruara me avionët luftarakë rusë MiG-29, me rreze veprimi 200 deri 400 kilometra dhe me fuqi të madhe shkatërruese.
Vuçiq iu përgjigj Plenkoviqit duke thënë se “Zagrebi nuk do të vendosë se çfarë do të ketë Serbia”. Ai gjithashtu pretendoi se Serbia po përgatitet “për një sulm të mundshëm nga aleanca midis Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit”.










