Është publikuar momenti kur mjeku italian Michele D’Angelo 44 vjeç, profesor biologjie në Universitetin e Aquila-s përfshihet në një aksident në datën 8 gusht 2025 në qafën e Kushovicës në aksin Levan-Fier, ku për pasojë humbi jetën 17-vjeçari Elidon Shehaj dhe u plagosën 3 të tjerë.
Profesori italian u paraqit në polici të nesërmen pas aksidentit ku u mbajt në paraburgim dy muaj për “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”. I riu ndërroi jetë disa ditë pas aksidentit në spitalin e Traumës.
Teksa italiani është liruar, prokuroria e Fierit ka mbyllur hetimet dhe pritet t’i komunikojë zyrtarisht akuzën. Në një konferencë për mediat në Tiranë, avokatët e D’Angelo, kundërshtuan akuzat ku pretenduan se klienti i tyre ka zbatuar rregullat e qarkullimit rrugor dhe nuk është përgjegjës.

Michele D’Angelo
Avokatja tjetër Ilenja Mëhilli shpjegoi skemën se si ndodhi aksidenti, dhe mohoi që D’Angelo të jetë larguar nga vendi i ngjarjes.
Ardian Visha, që foli në emër të mbrojtjes tha se italiani është interesuar vazhdimisht për ngjarjen dhe u shpreh i gatshëm për tu shpjeguar në çdo moment për ngjarjen.
Në aksident u përfshinë një Lancia Ypsilon të drejtuar nga profesori italian dhe një Mercedes të drejtuar nga shtetasi shqiptar E.S., i dyshuar se ka humbur kontrollin e makinës, ndërsa lëvizte me shpejtësi mbi normat e lejuara.










