Ndonëse të premten ishte i prerë kur deklaroi në “Facebook” se posti i Presidentit duhet t’i takojë PDK-së, deputeti Xhavit Haliti sot ka mbajtur një qëndrim më ndryshe para hyrjes në Kuvend.
Haliti këtë herë ka bërë thirrje për një konsensus më të gjerë politik, duke lënë anash kërkesën specifike që kandidati të vijë vetëm nga radhët e partisë së tij.
“Uroj të ketë një marrëveshje mes partive politike të mëdha dhe të vogla për ta zgjedhur presidentin. Kandidatë ka shumë, po të na pyesni ne 120 deputetëve këtu, të gjithë thonë ‘unë jam më i miri’. Por ka edhe jashtë Parlamentit, nuk do të thotë të jetë veç deputet. Por besoj që ai apo ajo që do të zgjidhet, duhet të ketë besimin dhe gatishmërinë për të punuar për Kosovën dhe jo për veten e tij ose të saj”, deklaroi Haliti.
I pyetur rreth mundësisë së votimit të Vjosa Osmanit për këtë pozitë, deputeti i PDK-së u shpreh i prerë se do të respektojë vetëm vendimin e partisë, duke mohuar çdo votë jashtë qëndrimit kolektiv.
“Vota ime është votë e PDK-së, s’kam votë personale dhe nuk kam ndërmend me dhanë votën nëse PDK-ja është kundër”.










