Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Silvinjo, është shprehur optimist për mundësinë e kualifikimit të Shqipërisë në finalet e Kupës së Botës 2026, edhe pse e cilëson një sfidë shumë të vështirë.
Në një intervistë për podcastin “MisterChip” në Spanjë, tekniku brazilian theksoi se rruga drejt Botërorit nuk është e lehtë, por mbetet e realizueshme. “Kalimi në finalet e Kupës së Botës është shumë i vështirë, por jo i pamundur”, u shpreh Silvinjo, duke u përpjekur të motivojë skuadrën dhe tifozët shqiptarë.
Ai rikujtoi gjithashtu përvojën e tij trevjeçare në krye të Kombëtares dhe shprehu dëshirën për të realizuar ëndrrën e shumë shqiptarëve: pjesëmarrjen e Shqipërisë në një Kupë Bote.
Gjatë intervistës, trajneri brazilian foli edhe për ndjenjat e tij personale. Ai theksoi se nëse Shqipëria arrin të kualifikohet në fazën finale të Kupës së Botës, Brazili do të jetë skuadra e dytë për të cilën do të bëjë tifo.
Sipas tij, një element kyç për skuadrën mbetet besimi, veçanërisht pas rezultateve të fundit dhe përgatitjeve për sfidat e ardhshme. Silvinjo beson se me përkushtim dhe besim, Kombëtarja shqiptare mund të synojë një nga arritjet më të mëdha në historinë e saj.
“Karlo Ançeloti si trajner i Brazilit? Ançeloti është një nga trajnerët më të mirë në botë, ka një CV fantastike. Ai ka kaluar në klubet më të mira në botë dhe shoh që e flet shumë mirë gjuhën portugeze. Është një shembull për t’u ndjekur dhe unë i ndjek intervistat e tij. Dua t’i uroj një Kupë Bote të mbarë, por jo kundër Shqipërisë, gjithmonë nëse ne shkojmë. Kemi edhe dy ndeshje para, në fillim kundër Polonisë.
Shqipëria? Kemi ndeshjen kundër Polonisë, një ekipi shumë të vështirë. Do jetë një ndeshje shumë e vështirë. Nëse shkoj në Kupën e Botës unë do bëj tifo për Shqipërinë, pastaj për Brazilin.
Levandovski jo në formën më të mirë, duhet të përfitoni– Kur ai është në formën më të mirë shënon gol çdo 45 minuta.
Ishte fitoja kundër Serbisë më e rëndësishmja? A do e përsërisni kundër Polonisë?
Kam tre vite te Shqipëria. Pas një përvoje me kombëtaren e Brazilit si asistent, kuptova se nëse do marr një ekip kombëtar duhet ta bëj punën brenda këtij vendi. Unë jetoj në Tiranë se bashku me Dorivan, ndihmësin. Pablo Zabaleta që la futbollin pak kohë më parë dhe ti e njeh mirë, na jep një ndihmë shumë të madhe si asistent, por ai jeton në Barcelonë pjesën më të madhe të kohës.
Së bashku bëmë një projekt tre vjeçar, rezultatet janë të mira dhe kemi një ekip shumë të mirë, të organizuar. Lojtarët na kuptojnë se çfarë duam. Luajnë një futboll shumë të mirë, kanë dëshirë, teknikë, goditjet e tyre janë të mira dhe pëlqejnë këtë ‘magji’ që po vjen, kanë pasion.
Fituam jashtë shtëpisë në Serbi kundër një ekipi shumë të komplikuar dhe një ndeshje shumë të vështirë. Ne kemi luajtur në Europian kundër Spanjës, Italisë apo Kroacisë, si dhe kundër rivalëve si Çekia, Polonia apo Anglia. Janë ndeshje që të japin besim.
Tani jemi në “play-off”, është e vështirë, por jo e pamundur. Luajmë jashtë fushe kundër Polonisë, por ne jemi një ekip që e dimë çfarë duam dhe ku mund të shkojmë; do luftojmë për këtë gjë, për ekipin, vendin dhe për popullin që është i dashuruar pas lojtarëve dhe lojës. Jemi të kënaqur me rezultatet që kemi marrë, por kemi shumë përgjegjësi për të ardhmen.
Polonia? Ne përmendëm pak më parë Levandovskin, por mund të flasim edhe për gjashtë emra të tyre që kanë një nivel të lartë. Ne do provojmë dhe do jemi aty.
Si e përjetuat fitoren në Serbi?
Duke jetuar në Shqipëri më ka dhënë mundësi të kuptoj si janë njerëzit, vendi, aspekti gjeopolitik. Kuptova shumë gjëra për të përçuar te lojtarët atë që donim. Ne shkuam vetëm për futboll të bukur, donim të luanim mirë. Nuk donim asnjë problem me UEFA-n dhe FIFA-n brenda apo jashtë fushe.
Ideja ishte ‘fitoje këtë ndeshje dhe kthehu në shtëpi’, ne bëmë mirë atje. Të gjithë ishim shumë të lumtur që arritëm në “play-off” sepse ishte rruga e vetme, sepse Anglia si e para e Grupit kishte mbyllur historinë.
I mban mend rivalët e mundshëm për në Kupën e Botës? Holanda, Tunizia dhe Japonia. Jemi shumë të qartë për rrugën tonë, nuk do e kemi të lehtë, por asgjë nuk është e pamundur. Kemi respektin e kundërshtarëve, kemi lojtarë shumë të mirë që luajnë në liga të forta. Kam shumë besim te lojtarët që kam, edhe nga forma e tyre. E përsëris, Kupa e Botës nuk është e pamundur“, tha Silvinjo.
Kupa e Botës 2026 do zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrikun e këtij viti në SHBA, Meksikë dhe Kanada, ndërsa do jetë Botërori i parë me 48 ekipe të ndara në 12 grupe me nga katër skuadra.
Nëse kalojmë dy rivalët, Shqipëria do të jetë pjesë e Grupit F bashkë me Holandën, Japoninë dhe Tunizinë.









