Mimoza Shala është betuar këtë të mërkurë, më 11 shkurt, si deputetja më e re e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës. Megjithatë, rrugëtimi i saj deri te institucioni më i lartë ligjvënës është përcjellë me veprime që dikur sfidonin hapur ekzistencën e simboleve shtetërore.
Përfaqësuesja e sapozgjedhur e popullit, e cila tashmë do të paguhet nga buxheti i shtetit dhe do të mbrojë interesat e Republikës, ka një të kaluar ku flamurin e Kosovës e trajtonte si “leckë”.
Në shkurt të vitit 2012, Shala, asokohe aktiviste e zhurmshme e Vetëvendosjes, ishte protagoniste e një akti që tronditi opinionin publik. Në një fotografi të realizuar më 16 shkurt 2012, ajo shihej tejet e buzëqeshur pranë flamurit të shtetit të Kosovës, të cilit ia kishte vënë flakën.

Në këtë akt, ajo shoqërohej nga aktivistë të tjerë të partisë, duke e përbuzur publikisht flamurin që sot qëndron në çdo cep të sallës ku ajo sapo u betua.
Asokohe, simbolet e shtetësisë së Kosovës cilësoheshin nga kjo linjë politike si “lara-lara” dhe të papranueshme.
Sot, 14 vite pas atij gjesti, Mimoza Shala ulet në ulësen e Kuvendit si “e zgjedhur e popullit”. Ajo që dikur dhunonte dhe digjte simbolin shtetëror, tani ka dhënë betimin për të mbrojtur Kushtetutën dhe integritetin e Republikës së Kosovës.











