Anëtarët e Komisioni për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës janë mbledhur për të shqyrtuar amendamentet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani për zgjedhjen e presidentit nga populli.
Deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, tha se nuk mund të mbahet peng vullneti i 120 deputetëve.
“Sot po i dërgojmë në seancë, me një rrethanë specifike, me vonesë dhe i mbetet deputetëve të votojnë ose jo. Komisionet janë trupa ndihmëse, nuk janë filtra të domosdoshëm. Ka bërë edhe mos me u mbajtë kjo mbledhje, shumë mirë që po mbahet por po them që nuk janë filtra komisionet që po s’kaluan dhe po spatën vendim pozitiv të komisionit mbahet peng vullneti i 120 deputetëve, jo në asnjë menyrë. Ne ndihmojmë Kuvendin, ne këtu 11 anëtarë ndihmojmë”, tha Rrustemi.
Kryetari i komisionit, Përparim Gruda, ka deklaruar se propozimi i Osmanit është i paafatshëm.
“Jemi gati 14 vjet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e Kosovës, pasi çështja është dërguar në gjykatë në vitin 2011. Pra, kemi kaluar çdo afat. Unë sot mendoj se komisioni nuk mund të shqyrtojë amendamente që kanë kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese më shumë se një dekadë më parë”, ka thënë Gruda.
Ai shtoi se propozimi është i paafatshëm dhe se amendamentet kushtetuese nuk mund të propozohen nga presidentja.
“Ky propozim është i paafatshëm. Propozimet për amendamente nuk mund t’i sjellë presidentja e Kosovës”, tha ai.








