Profesori i Fakultetit Juridik, Kolë Krasniqi, ka komentuar çështjet juridike që lidhen me procesin e zgjedhjes së presidentit në vend.
Sipas Krasniqit, për të zhvilluar seancën për zgjedhjen e presidentit është e domosdoshme që të ketë të paktën dy kandidatë.
Ai theksoi se, nëse procedura e votimit konsumohet dhe presidenti nuk zgjidhet pas tri raundeve të votimit, atëherë kuvendi duhet të shpërndahet menjëherë.
“Në rast se dështon zgjedhja e presidentit sipas rregullimit tonë kushtetues, duhet të ketë dy kandidatë. Nëse zhvillohen tri raunde votimi dhe presidenti nuk zgjidhet, atëherë kuvendi shpërndahet menjëherë”, u shpreh Krasniqi.
Ai shtoi se, nëse procedura fillon sipas rregullimit kushtetues dhe rregullores së parlamentit, procesi mund të zgjasë deri në 60 ditë. Nëse brenda këtij afati nuk arrihet zgjedhja e presidentit, atëherë parlamenti shpërndahet dhe shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme brenda 45 ditëve.
Sipas tij, në raundin e tretë të votimit kërkohen të paktën 61 vota pro për zgjedhjen e presidentit.
“Nëse plotësohen kushtet dhe janë dy kandidatë, atëherë është përmbushur kushti kushtetues dhe ligjor për procedimin e zgjedhjes së presidentit. Kushtetuta jonë e parasheh detyrimisht që të ketë dy kandidatë. Nëse ata votohen dhe asnjëri nuk i merr votat e nevojshme në tri raunde, atëherë edhe në raundin e tretë duhet të ketë 61 vota pro. Nëse kjo nuk ndodh, kuvendi shpërndahet menjëherë”, theksoi ai.









