Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës, para votimit të Qeverisë së re, theksoi se legjislatura e dhjetë fillon punën në një moment të rëndësishëm për vendin, “kur qytetarët presin stabilitet politik, zhvillim ekonomik dhe institucione me integritet të lartë profesional”.
Në fjalën e tij, Hamza bëri thirrje për unitet institucional dhe politik lidhur me procesin gjyqësor në Hagë, duke kërkuar qasje dinjitoze, të matur dhe unifikuese ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Kryetari Hamza njoftoi se në seancën e parë të punës së Kuvendit, PDK do të procedojë për votim rezolutën e hartuar nga ekspertët e pavarur, “tashmë të dorëzuar në Kuvend, me të cilën kërkohet gjykim i drejtë, i paanshëm dhe profesional, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe në respektim të plotë të të drejtave të njeriut”.
Ai theksoi se shtetet financuese dhe mbështetëse të Dhomave të Specializuara “duhet të sigurojnë që gjykata të operojë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, si dhe të marrin përgjegjësi në rast të shkeljes së këtyre standardeve”.
Hamza gjatë fjalimit të tij tha “presim përgjegjësi për respektimin e Kushtetutës”. Duke shtuar se “PDK do të vazhdojë të jetë gardiane e Kushtetutës”.
Ai i ka ftuar të gjithë të jenë pjesë e marshit me 17 Shkurt “Drejtësi dhe jo politikë”.










