(Desha të shkruaj për filmin e nominuar për Oscar, “Train Dreams”.
T’ju them se personazhi ishte aq tragjik sa ndjeva një obligim moral ta shikoja filmin deri në fund, edhe pse nuk më pëlqente ritmi.
Roli kryesor mbeti aq i vetmuar, sa më dukej se, nëse e lë edhe unë si shikuese, do të ishte e pandershme nga ana ime.)
Nga vetmia filmike, u ktheva te një vetmi edhe më e rëndë: vetmia e njeriut të vërtetë në një shoqëri që mbijeton nga shtirja.
Nën pushtimin serb kishim “shtëpi-shkolla”: shtëpia si strehë, shkolla si rezistencë.
Në paqe (pa drejtësi), kemi ndërtuar shtëpi – burgje.
Guxoj të mendoj se sot nuk ka shtëpi që nuk ka nevojë për një “shpajz” që ngjan me qeli:
një qoshe ku fshihen frika, dyshimi, lodhja, turpi;
ku mbyllet fjala e lirë që të mos prishet “harmonia”;
ku kyçet e vërteta që të mos prishet “imazhi”.
Logjika grabitqare nuk ka kufij.
Nuk vjedhet vetëm vota.
Vjedhet për qejf.
Vjedhet kusuri publikisht.
Vjedhet koha. Vjedhet besimi.
Vjedhet dashuria me gënjeshtra.
Vjedhet qetësia me shpifje.
Vjedhet reputacioni me “aludime”.
Dhe mbi të gjitha: vjedhet shpresa, derisa bëhet normale të mos shpresosh më.
Kjo është një shoqëri që jeton nga shtirja dhe mbijeton nga shtirja.
Nuk njeh tjetër mënyrë.
Nëse je i vërtetë, je “i ashpër”.
Nëse je i drejtë, je “naiv”.
Nëse je i qetë, je “i ftohtë”.
Nëse nuk bën pjesë në pazarin e rrenës, mbetesh i vetëm, i izoluar dhe i çuditshëm.
Ky mentalitet nuk ndalet…
Edhe Akademia e Arteve e ka “vjedhur” artin.
Edhe ajo e Shkencave e ka “vjedhur” shkencën.
Jo duke ia marrë dikujt një pikturë apo një studim, por duke ia marrë kuptimin.
Gjithçka është shndërruar në titull, në ceremoni, në dekor, në fotografi… përveç artit dhe shkencës, që kanë mbetur pa autorë.
Quhet poet ai që vjedh vargje.
Quhet studiues ai që nuk studion.
Quhet kompozitor ai që vjedh pikëllimin e huaj dhe e shet si origjinal.
Dhe i përzien pikëllimet, sepse vjedh nga autorë, epoka dhe zhanre të ndryshme.
Prandaj gjithë kjo shëmti.
Quhet ekspert ai që di të flasë, jo ai që di të punojë.
Dhe kështu, çdo fushë është bërë një treg i lirë ku shitet emri, jo vepra.
Kjo është shoqëri mashtruese, por jo se është aq e zonja të mashtrojë të tjerët.
Është vetëmashtruese.
Një shoqëri e varfër në shpirt dhe e uritur për gjithçka.
Prandaj edhe lakmia nuk është rastësi: është sistem.
Ta vjedhin besimin, miqësinë, dashurinë, dinjitetin.
Veç për qejf: “Hajt, si po reagon?”
T’ia plasë zemrën, veç që po shtiret “e paarritshme”.
Ta vjedhin edhe të drejtën për të qenë i qetë.
Hyn në cilindo institucion dhe, me tahmin, bëj me gisht (gati) te secili që do, e gjen ku këputet ligji: marzha e gabimit është e vogël.
Ligji nuk mund ta ruajë mentalitetin.
Nuk ka ligj që e mposht një kulturë grabitqare, sepse ata që e zbatojnë ligjin janë po e njëjta shoqëri.
Herë drejtësia bie në krah të një pale, herë në krah të një pale tjetër.
Herë “lufta kundër krimit” është shfaqje, herë është heshtje.
Edhe më jonormale është kur shoqëria e shpall “hero” një prokuror, sikur arrestimi i hajnave të ishte luks ekzotik.
Nuk është normale.
Nuk është normale që mediat (me pak përjashtime) blejnë dhe shesin rrena “qiellore” dhe pastaj i quajnë analistë ata që nuk dinë asgjë.
Pse gjithë kjo nevojë e mediave për padije?
“Shtëpia” u bë burg pa zot shtëpie: qeli e frikës, e dyshimit, e kompromisit, e normalizimit të turpit.
Çdo shtëpi ka ndërtuar një qeli të vetën… për të vërtetën.
Dhe njeriu i urtë, si personazhi i “Train Dreams”, mbetet vetëm… jo sepse s’ka njerëz rreth vetes…
E kur arusha endej natën në mal pranë tij, ai nuk ikte prej saj… e as arusha nuk e ndiqte.
Bashkë-shikuesit të filmit i thashë:
E sheh, djalë, as arusha nuk i “ha” të pikëlluarit.
P.S.: Më vjen turp të dal në rrugë.
AUTOKRITIKË: Just one more dance.








