spot_img
spot_img
Friday, February 6, 2026
spot_img
spot_img

“Humba testisin, rrezikoj të mbetem pa fëmijë”, rrëfen pacienti i dëmtuar, Klinika Amerikane: E ka humbur diku tjetër

Një gabim i pretenduar mjekësor i ka kushtuar rëndë një 31-vjeçari, i cili pas dy operacioneve të njëpasnjëshme në “Klinikën Amerikane Behar Kusari”, ka përfunduar me humbjen e një organi vital. M.V. rrëfen mes dhimbjesh se si një ndërhyrje që fillimisht u diagnostikua si hernie (bruh), rezultoi në humbjen e testisit dhe rrezikun e mbetjes pa pasardhës.

Për këtë rast, Inspektorati Shëndetësor tashmë ka shqiptuar gjoba ndaj institucionit dhe mjekëve të përfshirë, kryesisht për punë jashtë rregullave administrative.

Në anën tjetër, Klinika Amerikane i ka mohuar kategorikisht akuzat për neglizhencë, duke pretenduar se humbja e organit ka ndodhur në një institucion tjetër dhe se trajtimi i tyre ishte brenda protokolleve.

Rrëfimi tronditës i 31-vjeçarit

Pacienti M.V. tregon se gjithçka nisi në janar të këtij viti kur pas disa dhimbjeve u kontrollua te Dr. Ekrem Sefiu. Pas operacionit të parë të suksesshëm, dhimbjet u rishfaqën në anën tjetër, gjë që çoi në operacionin e dytë në muajin prill në Klinikën Amerikane.

“Operimi i parë prej të dytit ka pasur shumë dallim. Prej sallës që më ka dalë dhimbja, kam pasur dhimbje shumë të madhe. Në operimin e dytë kam ndjerë goditje tek plaga. Kam shenja të goditjes edhe në trup. Atë natë më kanë mbajtur me terapi, por dhimbja kurrë s’më është ndalur. Kam pasur ethe e temperaturë, mjeku më tha ‘s’është asgjë, mos e merr afër zemrës’”, ka rrëfyer pacienti për “VeriuInfo”.

Pas përkeqësimit të gjendjes, ai kishte kërkuar ndihmë në QKUK, por ishte tepër vonë.

“Mjekët në QKUK kanë tentuar me ma shpëtu testisin, por nuk kanë mundur sepse s’ka pasur qarkullim të gjakut dhe me datë 16 (prill) është dashur ta heq krejt. Edhe mjekët (në QKUK) më kanë thënë: gabimet e doktorit…”.

Më e rënda për 31-vjeçarin mbetet pasiguria për të ardhmen.

“Kjo punë është në pikëpyetje. Të ardhmen nuk mundemi me e ditë sigurt a mundem me kriju familje unë prej gabimit të doktorit”, deklaroi ai.

Detajet e vendimeve të Inspektoratit

Bazuar në vendimet që ka siguruar Gazeta Insajderi, Inspektorati Shëndetësor ka shqiptuar tri gjoba të ndara për rastin e 31-vjeçarit M.V., duke evidentuar një varg parregullsish që nisin nga mungesa e nënshkrimeve zyrtare e deri te punësimi i paautorizuar i mjekëve në kuadër të institucionit.

Në vendimin e parë që mban datën 29 maj 2025, Inspektorati ka ndëshkuar kirurgun Dr. Ekrem Sefiu me një gjobë prej 200 eurosh. Sipas arsyetimit të siguruar nga gazeta, gjatë inspektimit të fletëdaljes dhe raportit mjekësor të lëshuar në shkurt të këtij viti, është vërtetuar se dokumentacioni nuk përmbante nënshkrimin dhe faksimilin e mjekut, siç kërkohet me udhëzimet administrative për dokumentet shëndetësore.

Për më tepër, trupa inspektuese ka konstatuar se Dr. Sefiu ushtronte veprimtari shëndetësore në Klinikën Amerikane pa qenë i lajmëruar dhe i licencuar si pjesë e këtij institucioni në Ministrinë e Shëndetësisë.

Për shkelje të ngjashme administrative është ndëshkuar edhe anesteziologu Dr. Bujar Muqolli.

Edhe në rastin e tij, Inspektorati ka gjetur se në fletën operative të pacientit M.V. mungonte faksimili dhe nënshkrimi i specialistit, gjë që përbën shkelje të procedurave për plotësimin e dokumentacionit ku duhet të figurojnë saktë diagnoza, terapia dhe mjeku përgjegjës.

Për këtë pakujdesi në administrimin e rastit, anesteziologu është dënuar me gjobë prej 200 eurosh.

Ndërkaq, goditjen më të madhe financiare e ka marrë vetë institucioni, IPSH “Klinika Amerikane”.

Inspektorati ka shqiptuar një gjobë prej 1,000 eurosh ndaj klinikës pasi është vërtetuar se ajo ka lejuar ushtrimin e veprimtarisë mjekësore pa përmbushur kushtet ligjore sa i përket kuadrit profesional.

Sipas vendimit, institucioni nuk i kishte deklaruar mjekët në Drejtorinë për Licencim dhe Akreditim (DLA), duke rënë në kundërshtim me Ligjin për Shëndetësi, i cili specifikon se asnjë institucion nuk mund të ofrojë shërbime pa pasur kuadrin e licencuar specifikisht për atë institucion.

Këto gjoba vijnë si pasojë e inspektimit të jashtëzakonshëm të kryer më 14 maj 2025, i cili u iniciua pas ankesës së pacientit M.V. për trajtimin e tij në këtë klinikë.

Klinika Amerikane: Testisin e ka humbur diku tjetër, jo te ne

Në një përgjigje zyrtare për Insajderin, Klinika Amerikane ka mbrojtur stafin e saj, duke i cilësuar gjobat si “administrative-procedurale” dhe jo si dëshmi të paaftësisë profesionale.

Klinika insiston se Dr. Ekrem Sefiu ka licencë valide dhe kontratë të rregullt, ndërsa gjoba ka ardhur vetëm për shkak të vonesave në përditësimin e të dhënave në sistemin digjital (HRMSH) të Ministrisë.

Klinika mohon çdo lidhje mes operacionit të tyre dhe humbjes së organit. “Pacienti nuk ka kryer intervenim urologjik në institucionin tonë, por intervenim në fushën e kirurgjisë së përgjithshme. Humbja e organit nuk ka ndodhur në ‘Klinikën Amerikane’, por në një periudhë të mëvonshme dhe në një institucion tjetër shëndetësor,” thuhet në përgjigjen e tyre.

Sipas klinikës, pacienti nuk ka shkuar në vizitat kontrolluese post-operative tek ata, por ka vazhduar trajtimin jashtë institucionit të tyre. Ata shtojnë se deri më tani nuk ka asnjë ekspertizë mjekësore që vërteton gabimin e tyre dhe se pretendimet e pacientit mbeten “subjektive”.

Lidhur me dëmtimin e pacientit, Klinika u shpreh se nuk ka bazë për masa disiplinore apo kompensim dëmi për sa kohë nuk ka një vendim gjyqësor përfundimtar që vërteton fajësinë e tyre.

“Sa i përket çështjes së kompensimit, aktualisht nuk ekziston asnjë vendim apo konstatim institucional që do të vërtetonte shkaktimin e një dëmi shëndetësor ndaj pacientit nga ana e klinikës, prandaj kjo çështje mund të trajtohet vetëm në përputhje me procedurat ligjore dhe pas një vendimi përfundimtar nga autoritetet kompetente“, thuhet në përgjigjen e Klinikës.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit