NASA ka reaguar zyrtarisht ndaj një teorie konspirative që u përhap me shpejtësi në internet, sipas së cilës Toka do të humbiste gravitetin e saj për shtatë sekonda më 12 gusht 2026, duke shkaktuar miliona viktima në mbarë botën.
Sipas këtyre pretendimeve të pabazuara, mungesa e përkohshme e gravitetit do të bënte që njerëzit dhe objektet të ngriheshin në ajër dhe më pas të përplaseshin dhunshëm në momentin e rikthimit të tij, me pasoja katastrofike që arrinin deri në 40 milionë të vdekur. Teoria shkonte edhe më tej, duke pretenduar se NASA kishte nisur një program sekret të quajtur “Project Anchor”, për të përballuar pasojat e kësaj “katastrofe”.
Mohim kategorik nga NASA
Një zëdhënës i NASA-s, në një deklaratë për faqen e verifikimit të fakteve Snopes, i ka mohuar kategorikisht këto pretendime, duke theksuar se Toka nuk do të humbasë gravitetin as më 12 gusht 2026 dhe as në ndonjë datë tjetër.
Sipas shpjegimit shkencor të agjencisë hapësinore amerikane, graviteti i Tokës varet drejtpërdrejt nga masa e saj totale. Që graviteti të “zhdukej”, planeti do të duhej të humbiste në mënyrë masive materien e tij – bërthamën, mantelin, koren, oqeanet, ujin dhe atmosferën – një skenar që nuk lidhet me asnjë fenomen natyror të njohur nga shkenca.
Çfarë ndodh realisht më 12 gusht 2026?
Data e përmendur në teorinë virale nuk ka asnjë lidhje me ndonjë anomali gravitacionale. Ajo përkon me një eklips total diellor, i planifikuar për 12 gusht 2026, një fenomen astronomik i njohur dhe i parashikueshëm, i cili nuk ndikon në gravitetin e Tokës.
NASA sqaron se, ndonëse Dielli dhe Hëna ndikojnë në fenomenin e baticave përmes tërheqjes gravitacionale, kjo nuk ndryshon gravitetin e përgjithshëm të planetit. Këto procese janë të kuptuara plotësisht nga shkenca dhe parashikohen me saktësi për dekada.








