Opinionisti thotë se vetëm rinumërimi i të gjitha kutive dhe ndëshkimi i përgjegjësve mund të ruajë integritetin e zgjedhjeve në Kosovë.
Opinionisti Ilir Deda ka reaguar ashpër lidhur me procesin zgjedhor në Kosovë, duke deklaruar se “po duket që në çdo kuti ka pasur vjedhje të votës të kandidatëve”. Sipas tij, rinumërimi i të gjitha kutive të votimit është e vetmja rrugë për të ruajtur integritetin e zgjedhjeve.
Deda ka theksuar se, nëse synohet t’i jepet fund rrjetëzimit kriminal brenda partive politike, atëherë të gjitha partitë, pa përjashtim, duhet t’i largojnë nga anëtarësia të gjithë inspiruesit, urdhëruesit, organizatorët dhe zbatuesit e kësaj vjedhjeje të votës.
Ai ka bërë thirrje që Prokuroria të fillojë menjëherë hetimet ndaj personave përgjegjës për këtë, duke paralajmëruar se në fund do të dalin me mijëra njerëz të përfshirë në këtë krim zgjedhor.
“Nuk ka as drejtësi, as shtet ligjor, as parti që lufton për drejtësi e shtet ligjor, nëse partitë bashkëjetojnë me krimin në radhët e veta”, ka deklaruar Deda.
Sipas tij, nuk mund të ketë demokraci dhe zgjedhje të lira e të ndershme nëse ky organizim i vjedhjes së votës kalon pa ndëshkim ligjor dhe politik. Ai gjithashtu ka kritikuar ashpër figurat politike që, sipas tij, “fitojnë mandat me hajni të votës”, pavarësisht se cilës parti i përkasin.








