Në një postim të tij në Facebook, kryeministri Albin Kurti ka kujtuar veprimtarin Smajl Hajdaraj në përvjetorin e tij, kur u bën 24 vite që nga vrasja e deputetit dhe veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kurti ka përmendur edhe vrasjet e tjera politike, duke përmendur se duhet zbardhur këto vrasje.
“Andaj mbetet shumë me rëndësi zbardhja e plotë e këtyre vrasjeve, si vënie e drejtësisë për viktimat, për familjarët, për bashkëveprimtarët dhe për mbarë shoqërinë e popullin tone”, shkruan Kurti.
Postimi i plotë:
Sot u bënë 24 vite prej kur më 17 janar të vitit 2002, atentatorë të ngelur të panjohur që nga atëherë, e vranë Smajl Hajdarajn, deputet i Kuvendit të Kosovës dhe veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Smajl Hajdarajn e qëlluan dhe e vranë afër banesës së tij në Pejë, persona të panjohur të urdhëruar nga qarqe të tjera të panjohura gjithashtu, meqë edhe pas 24 vitesh, institucionet e drejtësisë nuk e kanë zbardhur rastin e tij. Lidhjet e mundshme dhe të dyshuara të kësaj vrasje me të tjera atentate në ato vite të para pas luftës në Kosovë, kanë lënë të kuptohen motivet politike dhe përçarëse të planifikuesve dhe ekzekutorëve të vrasjes së Smajl Hajdarajt.
Deputet i Kuvendit të Kosovës i zgjedhur në zgjedhjet e para parlamentare pas luftës, Smajl Hajdaraj ishte një profesor i matematikës i cili si i përjashtuar nga sistemi arsimor prej regjimit serb më 1990, ishte angazhuar politikisht në partinë Lidhja Demokratike e Kosovës. Më 1998, ai iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u caktuar më pas komandant i shtabit rajonal për Rugovë.
Pas çlirimit të Kosovës në qershor të vitit 1999, Smajl Hajdaraj iu rikthye punës në sistemin arsimor dhe angazhimit të tij politik. Ai ishte njëri nga deputetët e zgjedhur të legjislaturës së parë të Kuvendit të Kosovës, por shërbimi i tij u ndërpre dhunshëm nga atenati ndaj tij.
Vrasjet e motivuara politikisht dhe vrasjet e aktivistëve politikë dhe veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk janë krime ordinere, por goditje në jetën politike të Kosovës dhe në ecurinë e shtetndërtimit të Republikës së Kosovës. Andaj mbetet shumë me rëndësi zbardhja e plotë e këtyre vrasjeve, si vënie e drejtësisë për viktimat, për familjarët, për bashkëveprimtarët dhe për mbarë shoqërinë e popullin tonë.








