Gjatë ndeshjes së Challenge Cup-it në volejboll të zhvilluar në Danimarkë ndërmjet klubeve Holte dhe klubit famëkeq Cërvena Zvezda, janë shfaqur mesazhe dhe simbole me përmbajtje politike dhe nacionaliste, që përfshinin edhe paraqitjen e hartës së Republikës së Kosovës me ngjyrat e flamurit serb si dhe me mbishkrimin “nuk ka dorëzim”, si dhe banerë të tjerë që shfaqnin pretendime territoriale ndaj shtetit të Kosovës.
Pamje të tilla, të shfaqura në një garë evropiane të volejbollit, kanë nxitur reagime të shumta, pasi bien ndesh me parimet themelore të sportit dhe me rregulloret që ndalojnë përdorimin e sportit si platformë për mesazhe politike apo provokuese.
Pas këtij rasti, ka reaguar Federata e Volejbollit e Kosovës (FVK), e cila ka shprehur shqetësimin dhe kundërshtimin e saj të plotë ndaj këtyre veprimeve.

Flamuj skandaloz
Në reagimin zyrtar, FVK thekson se shfaqja e mesazheve të tilla është e papranueshme dhe cenon drejtpërdrejt vlerat e respektit, fair-play-t dhe ndarjes së sportit nga politika.
Për këtë arsye, Federata e Volejbollit e Kosovës ka njoftuar se i është drejtuar zyrtarisht Konfederatës Evropiane të Volejbollit (CEV), duke kërkuar që rasti të trajtohet me seriozitetin e duhur dhe të merren masa përkatëse ndaj përgjegjësve.
“Federata e Volejbollit e Kosovës shpreh shqetësimin dhe kundërshtimin e saj të plotë ndaj paraqitjes së hartës së Republikës së Kosovës me mbishkrimin “nuk ka dorëzim”, si dhe ndaj banerëve të tjerë me përmbajtje që shfaqin pretendime territoriale ndaj shtetit tonë, gjatë ndeshjes së Challenge Cup-it të zhvilluar në Danimarkë ndërmjet klubeve Holte (Danimarkë) dhe Crvena Zvezda.
Veprime të tilla janë të papranueshme dhe bien ndesh me parimet themelore të sportit, të cilat promovojnë respektin, fair-play-n dhe ndarjen e qartë të sportit nga mesazhet politike apo nacionaliste.
Sporti duhet të shërbejë si urë bashkimi mes popujve dhe jo si platformë për provokime apo mesazhe që cenojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të shteteve.
Federata e Volejbollit e Kosovës e konsideron këtë akt si shkelje serioze të rregulloreve dhe vlerave të garave evropiane dhe, për këtë arsye, i është adresuar zyrtarisht Konfederatës Evropiane të Volejbollit (CEV), duke kërkuar trajtimin e kësaj çështjeje me seriozitetin e duhur dhe marrjen e masave përkatëse.
FVK do të vazhdojë të mbrojë interesat e volejbollit të Kosovës dhe të shtetit tonë në të gjitha instancat përkatëse ndërkombëtare, duke qëndruar e palëkundur në përkushtimin e saj ndaj vlerave sportive, respektit reciprok dhe përfaqësimit dinjitoz të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare”, reagon Federata e Volejbollit e Kosovës.








