Një natë të mirë dhjetori, Vehbi Kajtazi e kishte përball në Klan Kosova Bedri Hamzën, kryetarin dhe kandidatin e PDK-së për kryeministër.
Hamza po sqaronte programin e tij ekonomik, kur për një moment i ndërhyri Kajtazi.
Ndërhyrja e Kajtazit ishte e rrufeshme, ndërsa qëndrimet e ashpra dhe ekstremiste.
Për një moment, duke e dekontekstualizuar krejtësisht historinë politike të dy vendeve dhe epokave të ndryshme, Kajtazi e krahasoi Albin Kurtin, kryetar i VV-së, me Adolf Hitlerin, diktatori nazist, që organizoi Holokaustin, ndër të tjera.
“Ne jemi duke u ballafaquar me propagandën. Qysh demantohet propaganda? Ju e dini shumë mirë se me propagandë ka ardhur Hitleri në pushtet. Me votë të lirë ka ardhur në pushtet, por ia ka pa sherrin bota. Hajde qysh kemi me ndal një Hitler tjetër, të cilin e kemi këmbëkryq në Kosovë” – ishte fjalia ekstremiste e Kajtazit, që duket se e vuri në siklet edhe vetë Hamzën.
Sikleti ishte aq i madh sa Hamza iu drejtua me një sjellje të butë, duke e quajtur zotëri Kajtazin, por duke e theksu mospajtimin me deklaratën e Kajtazit.
Në një mënyrë krejtësisht politikisht korrekte, Hamza tha se nuk bën kësi lloj krahasimesh.
“Zotëri Kajtazi, i vlerësoj qëndrimet e njerëzve, por megjithatë nuk jam prej atyre as që bëj kësi krahasimesh” – i tha Hamza, Kajtazit.










