Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka falënderuar qytetarët dhe anëtarësinë e LDK-së për mbështetjen në zgjedhjet e fundit. Ai ka theksuar se rezultati i arritur nuk reflekton potencialin e plotë të partisë.
Në një postim në Facebook, Hoti vlerësoi angazhimin dhe sakrificat e strukturave të LDK-së në gjithë Kosovën, duke u shprehur mirënjohës për kryetarin Lumir Abdixhiku dhe të gjithë anëtarët që mbajnë partinë gjallë.
Hoti ka falënderuar edhe votuesit që i besuan për t’i përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar se ky besim është më i madh se në zgjedhjet e shkurtit 2025 dhe sjell një obligim për angazhim të mëtejshëm.
Ai shtoi se ky rezultat tregon se elektorati i LDK-së kërkon forcimin e vlerave themeltare, si demokracia e brendshme dhe orientimi euro-atlantik.
Hoti përfundoi me një thirrje për unitet të brendshëm dhe një ballafaqim të hapur të ideve për të ardhmen e LDK-së.
“LDK-ja ka nevojë për unitet të brendshëm dhe ballafaqim të hapur të ideve për të ardhmen e saj, si dhe për rikthimin e besimit të qytetarëve në këtë organizatë politike që përbën domosdoshmëri për demokracinë e vendit”, ka theksuar Hoti.










