Shoferi i Anthony Joshuas është akuzuar pasi një aksident trafiku në Nigeri la të plagosur boksierin dhe shkaktoi vdekjen e dy anëtarëve të ekipit të tij, kanë bërë të ditur autoritetet policore.
Adeniyi Mobolaji Kayode, 46 vjeç, u paraqit të premten para Gjykatës së Magjistratit në Sagamu. Burime policore i thanë BBC-së se akuzat ndaj tij përfshijnë shkaktim të vdekjes nga drejtimi i rrezikshëm i automjetit.
Trajneri personal i Joshuas, Latif Ayodele, dhe trajneri i forcës fizike, Sina Ghami, humbën jetën të hënën pasi automjeti me të cilin po udhëtonin u përplas me një kamion të parkuar në një autostradë në shtetin Ogun, pranë Lagos-it, raporton BBC, transmeton Sinjali.
Ish-kampioni i peshave të rënda u dërgua në spital me lëndime pas aksidentit dhe u lirua të mërkurën. Prokuroria ngriti katër akuza ndaj Kayode: shkaktim vdekjeje nga drejtimi i rrezikshëm, drejtim i pakujdesshëm dhe neglizhent, drejtim pa kujdes të duhur dhe drejtim i automjetit pa patentë valide, kanë bërë të ditur burime policore për BBC-në.
I pandehuri u la i lirë me kusht, me një garanci prej 5,000,000 nairash (rreth 2,578 paundë), ndërsa u ndalua deri në përmbushjen e kushteve të lirimit me kusht.
Seanca e radhës është caktuar për 20 janar.
Joshua, 36 vjeç, ishte pasagjer në një veturë Lexus SUV që u përplas me një kamion të parkuar në autostradën e ngarkuar Lagos–Ibadan, në jugperëndim të Nigerisë, të hënën.
Ghami dhe Ayodele u shpallën të vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa Joshua u pa në fotografi duke u ndihmuar të largohej nga rrënojat e automjetit. Zyrtarë nga shtetet Ogun dhe Lagos thanë në një deklaratë se boksieri britanik ishte “me zemër të rënduar” për vdekjen e dy burrave, të cilët ishin miq shumë të afërt të tij.
Pas lirimit nga spitali, Joshua vizitoi shtëpinë funerale ku trupat e tyre “po përgatiteshin për riatdhesim”, thuhet në deklaratë.
Vetëm disa orë para aksidentit, Joshua kishte publikuar në Instagram një video ku luante pingpong me Ayodele.
Të mërkurën, Eddie Hearn, promotori i Joshuas prej më shumë se një dekade, u shpreh me fjalë ngushëllimi për anëtarët e ekipit.
“Pushoftë në paqe Latz dhe Sina,” shkroi Hearn në Instagram.
“Energjia dhe besnikëria juaj, mes shumë cilësive të tjera të shkëlqyera, do të na mungojnë thellësisht. Lutem për forcë dhe udhëzim për familjet e tyre, miqtë dhe sigurisht për AJ-në në këtë kohë jashtëzakonisht të vështirë.”
Joshua, i lindur në Watford, ka rrënjë familjare në Sagamu – një qytet në shtetin Ogun, pranë vendit ku ndodhi aksidenti.
Në momentin e aksidentit, ai ishte duke udhëtuar për të vizituar familjarët për festimet e Vitit të Ri, ka thënë një anëtar i familjes për BBC-në.
Boksieri kishte kaluar kohë në Nigeri pas fitores së tij të fundit ndaj YouTuberit amerikan të kthyer në boksier, Jake Paul, më 19 dhjetor.
Paul reagoi në platformën X pas aksidentit duke thënë: “Jeta është shumë më e rëndësishme se boksi. Po lutem për jetët e humbura, për AJ-në dhe për të gjithë ata që janë prekur nga ky aksident fatkeq.”








