Analisti ngre shqetësimin për përfitimin e skemave sociale nga diaspora dhe mungesën e guximit politik për pastrimin e listave.
Analisti dhe publicisti Berat Buzhala ka ngritur shqetësime lidhur me, siç i quan ai, raportet e paqarta të institucioneve të Kosovës me diasporën, duke theksuar se dhjetëra mijëra persona që nuk jetojnë në Kosovë po përfitojnë pensione dhe ndihma për fëmijë nga buxheti i shtetit.
Përmes një reagimi publik, Buzhala ka deklaruar se njeh personalisht raste të shumta të personave që kthehen në Kosovë çdo pesë ose gjashtë muaj vetëm për të marrë pensionin dhe më pas rikthehen në vendet e Bashkimit Evropian ku jetojnë.
Sipas tij, ky fenomen nuk është i izoluar, por përkundrazi një problem i gjerë për të cilin, siç shprehet ai, askush nuk po guxon të flasë. Buzhala thekson se opozita po heziton të kërkojë pastrimin e listave nga frika e humbjes së votave të diasporës.
Ai ka shtuar se e njëjta situatë vlen edhe për skemat e ndihmave për fëmijë, ku përfitues janë edhe persona me të ardhura të larta, përfshirë pensione mujore deri në 1 mijë euro. Sipas tij, dhënia e ndihmave shtesë prej 100 apo 200 eurosh në raste të tilla përbën skandal.
Buzhala ka përfunduar reagimin e tij duke ironizuar situatën dhe duke kaluar vëmendjen te tema e spektaklit “Big Brother”.










