Sot, Qeveria në detyrë ka mbajtur mbledhje elektronike.
Gjatë mbledhjes, Qeveria ka ndarë 10 mijë euro për mbulimin e shpenzimeve të funeralit të akademikut Nexhat Daci.
“Ndarë 10,000.00€ (dhjetë mijë euro), me qëllim të mbështetjes financiare për mbulimin e shpenzimeve të funeralit për veprimtarin e Republikës së Kosovës, Akademik Nexhat Daci”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Ish-kryekuvendari i Kosovës, Nexhat Daci, ka vdekur në moshën 81-vjeçare. Qysh nga viti 1968, Daci ishte i angazhuar në Universitetin e Prishtinës, e prej vitit 1984 mori titullin profesor i rregullt. Ai ka shërbyer si kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës në dy periudha: 1999–2004 dhe 2018–2019.
Përveç karrierës universitare, akademik Nexhat Daci ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës në tri legjislatura, dhe në dy prej tyre, në periudhën 2000–2006, ka ushtruar edhe funksionin e kryetarit të Kuvendit.











