Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar tri vendime në një mbledhje elektronike të mbajtur të mërkurën, më 31 dhjetor. Lajmi është bërë i ditur në mbrëmjen e fundit të vitit 2025 përmes një njoftimi zyrtar të Qeverisë.
Sipas njoftimit, ekzekutivi “ka miratuar dy rregullore dhe një nismë”, të cilat lidhen me fushën e kulturës, arkivave dhe sigurisë ndërkombëtare.
Vendimi i parë ka të bëjë me “Miratimin e Rregullores për Organizimin dhe Funksionimin e Këshillit Kombëtar të Arteve”, duke rregulluar strukturën dhe mënyrën e funksionimit të këtij institucioni. Vendimi i dytë është “Miratimi i Rregullores për Programin, Përmbajtjen, Mënyrën dhe Procedurat e Organizimit, Trajnimit Profesional për Zyrtarë Arkivorë”.
Ndërkohë, Qeveria ka miratuar edhe “Nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Përgjithshme të Sigurisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut”, e cila synon “shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar”.








