Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka theksuar se përbërja e qeverisë së re nuk do të ketë ndryshime të mëdha. Ai ka shtuar se është e nevojshme të priten rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve dhe të bëhet një mbledhje e Kryesisë së Vetëvendosjes për të konfirmuar emrat.
“Na duhet të presim certifikimin e plotë të rezultateve. Na duhet një mbledhje në Kryesi të Vetëvendosjes… Do të jetë përbërja identike, nuk mund ta them dot tani. Nuk besoj që mund të ketë ndryshime të mëdha,” tha Kurti.
Sa i përket zgjedhjes së presidentit, Kurti ka njoftuar se do të takohet me presidenten aktuale, Vjosa Osmani, për të diskutuar mundësitë. Ai theksoi se për të zgjedhur presidentin, kërkohen 80 deputetë të pranishëm në Kuvend.
“Do të kemi një takim me presidenten Osmani dhe do diskutojmë mundësitë përpara, sepse na duhet të qëndrojmë 80 veta në sallë,” tha ai.
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Vetëvendosje ka fituar 49.41% të votave dhe pritet të ketë 56 deputetë.








