Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar qytetarët për Vitin e Ri 2026, duke theksuar rëndësinë e reflektimit për vitin që po mbyllet dhe angazhimin për një të ardhme më të sigurt dhe të zhvilluar.
Në mesazhin e saj, Osmani vlerësoi vitin 2025 si një periudhë sfidash, por edhe përparimesh të dukshme në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Ajo theksoi se vendi ka treguar vendosmëri në mbrojtjen e rendit kushtetues dhe interesit shtetëror, duke u dëshmuar faktor stabiliteti dhe besueshmërie në arenën ndërkombëtare.
Presidentja përmendi edhe kontributin e punëtorëve, policëve, ushtarakëve, mësuesve, mjekëve, të rinjve, grave dhe mërgatës shqiptare në sfidat e vitit që po lëmë pas.
Për vitin 2026, Osmani tha se Kosova hyn me përgjegjësi të reja dhe synime të qarta, duke përfshirë forcimin e shtetit të së drejtës, rritjen e sigurisë, avancimin e pozitës ndërkombëtare, mbështetjen e familjeve dhe rinisë, si dhe zhvillimin ekonomik.
Në përfundim, ajo uroi shëndet, paqe dhe begati për qytetarët, duke theksuar: “Le të jetë viti 2026 një vit suksesi për secilin prej jush dhe për Republikën tonë. Gëzuar Vitin e Ri për Kosovën dhe qytetarët e saj!”








