Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e Millosh Steviq, për të cilin është raportuar se është njeri i afërt me Milan Radoiçiq.
Prokuroria ka thënë se kishte pranuar informacione se Steviq dyshohej se kishte ndikuar te qytetarët për të votuar dhe po ashtu kishte kërkuar raporte shëndetësore nga persona të caktuar, me qëllim që personat të asistohen gjatë procesit të votimit.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik, se ka pranuar një informatë anonime lidhur me dyshimet se një person M.S., ka ndikuar te qytetarët për të votuar dhe po ashtu ka kërkuar raporte shëndetësore nga persona të caktuar, me qëllim që personat të asistohen gjatë procesit të votimit. Personi i dyshuar është shoqëruar në stacionin policor në Komunën e Graçanicës, ku ndaj tij janë duke u ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me të gjitha procedurat ligjore”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Steviq është intervistuar nga organet kompetente, ndërkaq sipas Prokurorisë gjatë kontrollit fillestar të njëjtit nuk i është gjetur asgjë e dyshimtë.
“Ndërkohë, gjatë kontrollit fillestar nuk është gjetur asgjë e dyshimtë, ndërsa i njëjti është intervistuar nga organet komptente. Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim me Policinë e Kosovës, mbeten të përkushtuar në ruajtjen e rendit, dhe ligjshmërisë, si dhe në garantimin e një procesi zgjedhor të lire dhe demokratik”, ka njoftuar Prokuroria.








