Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e djeshme opinionin publik. Gazetari Elton Tozaj është sulmuar rreth orës 19:30 në autostradën Tiranë–Durrës, në rrethana që ende mbeten shqetësuese dhe të paqarta.
Sipas familjarëve të tij, Tozaj është sulmuar në mënyrë barbare nga disa persona, të cilët, sipas tyre, janë tashmë të identifikuar. Dhuna e ushtruar ka qenë e rëndë, duke i shkaktuar dëmtime serioze fizike.
Familja ka bërë të ditur se gazetari ndodhet aktualisht në gjendje të rënduar shëndetësore dhe po merr trajtim intensiv mjekësor. Situata është delikate, pasi Tozaj po lufton për të mos humbur shikimin, duke e bërë ngjarjen edhe më alarmante.
Familjarët shprehen të tronditur dhe kërkojnë që autorët të vihen sa më parë përpara drejtësisë.

Kujtojmë se kohët e fundit, Tozaj ka bërë disa deklarata të papritura. Një prej tyre ishte se Luana Vjollca ishte “fiksuar” pas ish-partnerit Krenar Çoçaj dhe e ndiqte atë dhe partneren e tij aktuale, Endi Demnerin. Ai përmendi disa raste të pretenduara, si një fluturim drejt Milanos, ku sipas tij moderatorja ndodhej në të njëjtin avion me çiftin, si dhe afërsinë e vendndodhjes së saj gjatë pushimeve të verës në Saint-Tropez, në të njëjtin qytet ku gjendej ish-partneri.
Moderatorja Luana Vjollca ka vendosur ta padisë zyrtarisht gazetarin, pasi akuzat dhe insinuatat e tij janë konsideruar nga pala e saj si të pavërteta, fyese dhe cënim i rëndë i figurës publike.








